2011-08-15 19:10:40

Lutje Zojës së Madhe


Më pëlqen, Mari, kjo festa jote,
që vjen, kur ne pushojmë,
lulëzon mes të gushtit
e na kujton
se caku ynë nuk është prehja,
po lumturia e Hyjit.
Është bukuria e Zotit.
Në sa trupat tonë prehen,
mes heshtjes,
në blerim e kaltërsi,
e theken nën rrezet e diellit,
a marrin frymë në maje malesh,
na bën ta shohim lumninë e Hyjit
që trup e shpirt na i përtërin.
Sepse shëlbimi nuk është veç për shpirtin,
është dhe për korpin.
Si mund ta përjashtojmë nga lumnia e amshuar,
kur ne me të jetuam?
Me të nisëm udhën drejt cakut?
Me trupin tonë ne shprehëm
ndjenja fisnike,
deshëm, ndihmuam, bëmë miq e dashamirë.
Me trupin tonë luftuam,
që botën ta bëjmë më të mirë;
falëm e ngushëlluam me këtë trup,
dhuruam gëzim e hare.
Prandaj më pëlqen kjo festa Jote,
O Nënë Mari,
Se më fton të besoj,
të shpresoj e të dua
me gjithë vetveten:
me trup e me shpirt!
Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.