2011-08-13 10:58:30

Shenjtorët pajtorë të DBR-së në Madrid


Mbi të rinjtë vigjëlojnë 10 ndërmjetësues të veçantë pranë Zotit, jeta e të cilëve përshkon historinë e Kishës në Spanjë, duke u shtrirë deri në Amerikën Latine, me shën Rozën nga Lima e në Kishën universale, me të Lumin Gjon Pali II. Ata dëshmojnë se “edhe sot, shenjtëria është e mundur”, siç thotë Papa Benedikti XVI, dhe u besojnë të rinjve të Madridit mesazhin e thirrjes për këtë shenjtëri, që i përket çdo të Pagëzuari në Krishtin.
Të rinjtë e Madridit janë nën mbrojtjen e Zojës së Bekuar, Pajtore e kryeqytetit spanjoll me titullin “Zoja jonë e Almudenës”. Fugurja e shën Marisë La Real de la Almudena, nderuar prej shekujsh nga besimtarët, u gjet në vitin 1085 në një mur të qytetit dhe u vendos në ish-xhaminë, sot katedrale. Origjina e saj duhet të jetë e fillimeve të shekullit VII, kur u fsheh me dekret nga kryeipeshkvi i Toledos, për shkak të dyndjes së myslimanëve. Gjetja e saj nga mbreti Alfonsi VI gjatë “Reconquista”-s, u shoqërua nga një ngjarje e mrekullueshme: ndërsa procesioni, i udhëhequr nga mbreti, zgjatej përreth mureve, duke iu lutur Zotit të jepte një shenjë për të zbuluar fuguren, disa gurë filluan të binin para një vrime në murin e një depoje gruri, ku ishte fshehur statuja. Edhe emri vjen nga “almudd”, masa e lashtë arabe për grurin. Papa Piu X e deklaroi Pajtore të Madridit në gusht 1908.
Të rinjve të DBR-së do t’u jepet si shembull edhe jeta e nëntë shenjtorëve të tjerë, të cilën mund ta lexojnë në dokumentet që do të kenë në çantën e tyre të shpinës. Janë bashkëshortët shën Isidro Labrador dhe shën Maria de la Cabeza, shenjti jezuit Injaci i Lojolës, shën Françesk Saveri, Shën Gjoni i Avilës, Shën Gjoni i Kryqit, shën Tereza e Jezusit apo shën Tereza e Avilës, Shën Rafael Arnàiz, shën Roza e Limës dhe i Lumi Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.