2011-08-13 10:56:32

Kardinali Rilko u uron të rinjve të DBR-së në Madrid ta takojnë Krishtin, i vetmi, që u jep shpresën, e cila nuk zhgënjen


Pas dy ditësh, në Madrid të Spanjës, do të mblidhen të rinjtë nga e gjithë bota, për të festuar Ditën XXVI Botërore të Rinisë, e cila sivjet ka për temë një frazë nga Besëlidhja e Re: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”(Kol 2,7). Takimi rinor do të zhvillohet nga 16 deri më 21 gusht e në të do të marrin pjesë edhe mëse 150 të rinj nga Shqipëria. Për arsye vizash e fondesh, nuk do të marrin pjesë të rinjtë nga Kosova. Në datën 18, në Madrid, do të shkojë Papa Benedikti XVI, në vizitën e tij të tretë në Spanjë, pas udhëtimeve në Valencia, në Barcelonë e në Santiago de Kompostela. Cila është Spanja, që pret Benediktin XVI? Pyetëm kryetarin e Këshillit Papnor për Laikët, kardinalin Stanislao Rilko:RealAudioMP3
Aktualisht, Spanja paraqitet si një laborator i madh, në të cilin shfaqen me forcë të veçantë probleme serioze e sfida të post-modernizmit. Mjafton të mendojmë për fenomenin e shekullarizimit, për prirjet drejt laicizmit radikal, për ligjet e shtetit, që i kundërvihen qartë ligjit natyror (e drejta për jetën, natyra e martesës dhe e familjes)…e më tej, problemet e rënda, që rrjedhin nga kriza ekonomike, si papunësia e të rinjve, çdo ditë në rritje… Pa dyshim, shoqëria spanjolle ka etje për shpresë, ndjen urgjencën e gjetjes së perspektivave për të ardhmen… E pikërisht në këtë kontekst jo të lehtë, Kisha në Spanjë ka për detyrë të rizbulojë thirrjen e saj profetike e guximin ungjillëzues. Sot, kjo Kishë tregon kujdes të veçantë për brezat e rinj, u çon atyre shpresën e re – atë “shpresë të madhe”, që nuk zhgënjen, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë! Papa nuk lodhet së na kujtuari se: “Ka shumë probleme, që duhen zgjidhur, por, që të gjitha, nuk mund të zgjidhen, nëse nuk vendoset Zoti në qendër të botës, duke u bërë i dukshëm, vendimtar për jetën e nëse nuk hyn, përmes nesh, vendosmërisht në botë” (Homelia gjatë Meshës Shenjte me Ipeshkvijtë e Zvicrës, 7 nëntor 2006).

Si mund të afrohen edhe ata që nuk besojnë në Zot, në Ditën Botërore të Rinisë?

Ftesa e Atit të Shenjtë Benedikti XVI u drejtohet të gjithë të rinjve të botës. Në Mesazhin e tij për DBR-në e Madridit, Papa shkruan: “Do të dëshiroja që të gjithë të rinjtë, si ata që besojnë në fenë e Jezu Krishtit, ashtu edhe ata, që hezitojnë, dyshojnë e nuk besojnë në Të, ta përjetojnë këtë përvojë, që mund të jetë vendimtare për jetën: përvojën e Zotit të gjallë e të dashurisë së Tij për secilin prej nesh”. Në këto 25 vjet histori, DBR-të kanë qenë mjete të jashtëzakonshme për ungjillëzimin e të rinjve. I Lumi Gjon Pali II i quante “laboratore të fesë rinore”… Të mendojmë sa e sa të rinj, që, falë takimit me Krishtin gjatë DBR-ve, kanë bërë kthesë në jetën e tyre, sa e sa, që kanë dëgjuar thirrjen për meshtari, ose për jetën rregulltare, sa e sa, që kanë vendosur ta jetojnë martesën si të krishterë të vërtetë. Jam i sigurtë se edhe DBR-ja e Madridit do të sjellë shumë fryte të këtij lloji…

Shumë të rinj nuk do të vijnë në Madrid, për shkak të gjendjes së tyre financiare. Vërtet, kriza ekonomike globale u ka krijuar shumë vështirësi, sidomos vendeve më pak të zhvilluara. Ç’mund të bëjë Kisha në këtë fushë?

Me këtë pyetje, prekët një çështje, që e kemi shumë për zemër. Përvoja e DBR-së është për të gjithë të rinjtë e nuk mund të kufizohet vetëm me ata, që kanë mundësi të paguajnë udhëtimin. Që në fillim, u kemi propozuar të rinjve të krijohet një Fond solidariteti, me qëllim ndihmën ekonomike për të rinjtë, që nuk mund të paguajnë udhëtimin dhe qëndrimin. Të rinjtë e vendeve më të pasura kanë dhënë 10 euro secili. Por kjo nuk mjafton! Televizioni dhe interneti do t’u japin mundësi të rinjve të vendeve të largëta të marrin pjesë virtualisht në DBR. Prandaj, dikasteri ynë u ka kërkuar Kishave lokale, lëvizjeve kishtare dhe bashkësive të ndryshme të organizojnë nisma, ku të përdorin këto mjete. E deri tani, rezultati është premtues!

Cili është urimi juaj për këtë DBR?

Çdo DBR është kohë e mbjelljes së farës ungjillore e pra, një kohë hiri, në të cilën Zoti është i pranishëm e vepron konkretisht. Gjatë DBR-ve ndihet qartë kjo prani. Prandaj, iu uroj të gjithë të rinjve, që do të vijnë në Madrid e të gjithë atyre, që do ta jetojnë këtë përvojë përmes televizionit e internetit, ta hapin pa frikë zemrën për dhuratën e pamasë të takimit me Krishtin, i vetmi që mund t’ua shndërrojë jetën e t’u japë atë shpresë, e cila nuk zhgënjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.