2011-08-13 10:59:13

Drita e shpresës të Ngjiturit e Zojës në Qiell.


Më 15 gusht, Kisha Katolike kremton festën liturgjike më të njohur të verës, Zojën e Madhe, ose të Ngjiturit e Zojës në Qiell. Në liturgjinë e festës, del në pah gjithë shpresa, që sjell shën Maria në botë, duke mbajtur në kraharor Foshnjën Hyjnore, Shëlbuesin e njerëzimit. Shën Elizabeta, e cila bekon frytin e barkut të saj, e dëgjon edhe t’i lartojë Zotit këngën e madhërimit, “Magnificat”-in më të bukur të historisë së njerëzimit. Të gjitha brezat do ta quajnë të lume, sepse në të merrte formë e mishërohej ai Bir i njeriut, që do ta mundte vdekjen. Për atë Bir, që mbante në kraharor, për Fjalën e Tij, që do t’i bënte të reja të gjitha gjërat, Maria e kupton se njerëzimi do të shihte qiellin të hapej mbi tokë. Një shpresë e re do të ndriçonte aspiratat e njerëzve, të cilët ishin të ndërthyer në hapësirë e në kohë, pa mundur t’i kapërcejnë për shkak të mëkatit. Ai që, si Maria, ecën rrugëve të Zotit dhe dëgjon Fjalën e Tij, sheh para vetes udhën e qiellit, po atë që priti në gjirin e vet shën Marinë, të veshur me dritë, në fund të jetës së saj tokësore. Festa e nesërme e Ngjitjes së Zojës në Qiell është plan dashurie, është propozim, sfidë, që na thërret të gjithëve për t’u mbledhur rreth Fjalës së Mësuesit hyjnor për të ri-krijuar bashkë me Të e si bashkëpunëtorë të Tij, një botë me drejtësi e paqe, sipas shembullit të shën Marisë, “bekuar mbi të gjitha gratë”, e cila me “po”-në e saj për Zotin shënoi fillimin e historisë së shëlbimit të botës.
Ndoshta do të na bënte mirë edhe ne, që në kohë pushimesh, të reflektojmë të paktën për një ditë, në ditën e Zojës së Madhe, mbi kuptimin e vërtetë të jetës, nëse ndërmjet argëtimit e pushimit, i lëmë hapësirë edhe jetës shpirtërore, që na çon drejt amshimit. Në këtë verë, shumë janë gjërat që na nxisin për këtë: DBR-ja në Madrid, vuajtja e miliona të uriturve në Bririn e Afrikës, perskutimi i të krishterëve që s’ka fund, dhuna pa kuptim në Britaninë e Madhe, kriza ekonomike… Të gjitha “pse”, që kërkojnë përgjigje, ngjarje, para të cilave ndjehemi të pafuqishëm. Duke i kushtuar pak kohë Gruas së veshur me diell, ndoshta, mund të ndjejmë ngrohtësinë e një dielli, pak si ndryshe nga ai që shkëlqen në kupolën qiellore, i aftë të ndriçojë e të ngrohë edhe çastet më të errta e më të ftohta të jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.