Me 12 gusht kalendari përkujton të Lumin Inoçenci XI, papë.
Benedeto Odeskalki lindi në Komo të Italisë më 19 maj 1611 nga një familje fisnike.
Pasi mori edukimin e parë në familje, vijoi shkollën në kolegjin e jezuitëve, në vendlindje.
Mbeti jetim në moshë të njomë e iu desh të lëvizte nga Komo, në Gjenovë, në Romë e
Napoli, ku studioi për drejtësi, derisa u diplomua në vitin 1639. Por në vend që të
ndiqte karrierën shekullare, u vu në shërbim të Selisë Apostolike në Romë, ku iu ngarkua
detyra shumë delikate e Komisionerit të jashtëzakonshëm të taksave. Papa Inoçenci
X i dha tituj nderi, e krijoi kardinal diakon dhe e caktoi në Kurie. E ai i ndihmoi
të varfërit aq, sa meritoi të thirrej “Ati i varfanjakëve”. Më 1650 u emërua ipeshkëv
i Novarës e, me që nuk ishte meshtar, sepse asokohe për të qenë kardinal nuk ishte
i domosdoshëm shugurimi, pranoi vullnetin e Zotit dhe u shugurua meshtar e ipeshkëv.
Punoi me një zell të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës kishtare e shoqërore
të dioqezës. Më 1654 shkoi në Romë për vizitë “ad Limina” e papa e mbajti pranë
vetes si këshilltar. U zgjodh papë më 21 shtator 1676 me emrin Inoçenci XI. Gjatë
papnisë së tij 13-vjeçare, luftoi kundër nepotizmit, dënoi dhënien e parave me fajde,
iu kundërvu jetës luksoze, nxiti bamirësinë e dha shembullin personal në të gjitha
fushat. Qe në kontrast të plotë me mbretin e Francës, Luigjin XIV, që njihej me emrin
“Mbreti Diell”. Luajti një rol të dorës së parë për krijimin e koalicionit evropian
kundër rrezikut turk, duke nënshkruar traktate paqeje e duke lidhur aleanca, që arritën
kulmin me mbrojtjen e Vjenës e të Budës përballë sulmit turk. Punoi me bindjen se
detyra kryesore e papës ishte të mbronte fenë e krishterë. Me këtë bindje themeloi
dioqeza, universitete, misione. Vuajti nga një mori sëmundjesh, të cilat i mbarti
me durim shembullor. Vdiq më 12 gusht 1689, u varros në Shën Pjetër, ku iu ngrit një
monument madhështor. U shpall i Lum nga papa Piu XII më 7 tetor 1956.