2011-08-12 18:21:18

Atë Lombardi për DBR-së së Madridit: në një kohë paqartësish, besimi në Krishtin është bazë e sigurtë për të rinjtë.


Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, mbajti sot paradite një takim të shkurtër, për të shpjeguar programin e Shtegtimit Apostolik të Papës në Madrid, me rastin e Ditës XXVI Botërore të Rinisë. Është shtegtimi i 20-të ndërkombëtar i Benediktit XVI, i treti në trojet spanjolle, por i pari në Madrid.RealAudioMP3

Qindra mijëra të rinj, por edhe 800 ipeshkvij – një e katërta e prelatëve të mbarë botës - 6 mijë seminaristë e mijëra meshtarë...: janë disa nga të dhënat statistikore, që kujtoi sot atë Lombardi, për të nënvizuar sa e jashtëzakonshme është Dita e tretë Botërore e Rinisë e Benediktit XVI. Shtegtimi i Papës nuk kufizohet vetëm me takimin e madh të të rinjve, në qendër të vëmendjes; sipas programit, parashikohen edhe takime me Familjen Mbretërore të Spanjës, me kryeministrin Zapatero dhe me liderin e opozitës, Rajoy, por edhe me botën akademike e të rinjtë me aftësi të kufizuara fizike. Gjithsesi, vërejti atë Lombardi – zemra e shtegtimit është takimi i Papës me të rinjtë, nën shenjën e Kryqit. Prej këndej, u ndalua posaçërisht tek motoja e zgjedhur nga Papa për këtë Ditë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”
Kuptimi, natyrisht, lidhet edhe me temat e tjera të kësaj Papnie, temën e rrënjëve e të bazimit në Krishtin, edhe në një kohë, si kjo, në të cilën jetojmë, kohë paqartësish, ndryshimesh të vrullshme në të cilën, prandaj, të kesh një themel të qartë e të fortë, është tejet e rëndësishme, posaçërisht për të rinjtë, që duan të ndërtojnë jetën e tyre”.
Një DBR-së, e cila kremtohet dhe nën shenjën e Atij, që e themeloi, Gjon Palit II: prandaj i Lumi i ri – kujtoi atë Lombardi – është njëri nga dhjetë shenjtorët pajtorë të DBR-së së kryeqytetit iberik, e për këtë arsye, në Madrid do të dërgohet edhe një relike e Papës Vojtila. Kremtimet kryesore papnore do të mbahen në aerodromin e Cuatro Vientos, ku Benedikti XVI do të kryesojë një mbrëmësore, që do të arrijë kulmin me adhurimin eukaristik, të shtunën, më 20 gusht, pasuar nga Mesha e së dielës, kulm i festës së madhe rinore, në të cilën priten më se një milion pjesëmarrës. Protagonistë, edhe Sheshi i Cibeles, ku do të kremtohet Mesha e hapjes së takimit e pritja e Papës, më 18 e, sidomos, ashtu si në takimet e mëparshme, Udha e Kryqit, më 19 gusht, që do të hapet e do të mbyllet nga Ati i Shenjtë, i cili do t’i ndjekë të gjitha stacionet.
Deri në këtë çast janë regjistuar 400 mijë të rinj, por, kujtoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, tradicionalisht në Ditët Botërore të Rinisë, numri i të rinjve e kalon tri herë atë të atyre, që regjistrohen rregullisht.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, atë Lombardi pohoi se laicizmi në Spanjë nuk do të jetë ndërmjet temave, që do të trajtojë Papa gjatë vizitës:
“Qendra dhe qëllimi i qartë është: shkojmë për këtë takim të madh, që mikpret Spanja, plot përzemërsi e vëmendje, e japim këtë mesazh inkujrajimi për të rinjtë e botës”.
Atë Lombardi iu përgjigj edhe pyetjeve, që iu bënë për disa shfaqje pakënaqësie lidhur me shtegtimin e Papës:
Nuk do të thosha se është për t’u shqetësuar, e as për t’u habitur në mënyrë të veçantë; më duket se është diçka që ndodh gjithnjë kur shtegton Ati i Shenjtë: vërejtje të zakonshme nga ana e atyre, që nuk janë dakord...”.
Atë Lombardi kujtoi edhe se, për herë të parë në një Ditë Botërore të Rinisë, Papa do të rrëfejë disa të rinj, ndërsa 200 rrëfyestore do të presin, në Madrid, gjithë të rinjtë, që duan të lehtësojnë shpirtin me Sakramentin e Pendesës e të Pajtimit. Së fundi atë Lombardi vuri theksin mbi përkimin e DBR-së me Ditën e OKB-së për Rininë, që u kremtua sot, duke kujtuar se Dita e parë Botërore e Rinisë u mbajt pikërisht në Vitin Ndërkombëtar të të rinjve, shpallur nga OKB-ja.







All the contents on this site are copyrighted ©.