2011-08-10 17:15:49

Uria vijon të vrasë në Bririn e Afrikës: mijëra somalezë dynden në kampin e refugjatëve të Dadaabit, në Kenia.


(10.08.2011 RV)Nuk pushon mobilizimi për Bririn e Afrikës, për Somalinë sidomos, ku zija më tragjike e bukës, që është vërejtur gjatë 60 vjetëve të fundit, po vë në rrezik jetën e miliona njerëzve. Sot Tanzania vendosi të dërgojë 300 tonelata misër. Për të studiuar masat urgjente, që duhen marrë në këtë situatë, më 17 gusht, në Stamboll, do të mblidhen 57 vendet e Konferencës Islamike, ndërsa një ditë më pas, në Romë, ministrat e bujqësisë të 191 vendeve anëtare të Faos-s. Mbijetesa e më se katër milionë somalëve është në rrezik edhe për shkak të rebelëve Shabaab, që kontrollojnë zonat jugore të vendit. Në kampin e Dadaab-it, në kufirin ndërmjet Somalisë e Kenias, ku çdo javë vijojnë të arrijnë 10 mijë refugjatë, vepron organizata humanitare Cesvi. Kushtet e jetesës janë rënduar tepër e ushqimi i pamjaftueshëm po dëmton rëndë shëndetin dhe vetë jetën e të ikurve. Nuk pushojnë thirrjet për t’i ndihmuar këta njerëz, edhe përmes një mesazhi prej 2 eurosh, nisur në numrin 45500. Nga Dadaab, me telefon, na flet Lorena D’Ayala Valva, drejtuese e veprimtarive të Cesvi-t për emergjencat:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ekzistojnë, në këtë çast, dy probleme kryesore: njëri ka të bëjë me refugjatët që kanë ardhur qëkur, të cilët duhet të vijojmë t’i ndihmojmë, pastaj, me ata që vijnë çdo ditë. Problemi ndërlikohet edhe për shkak të kushteve të vështira në të cilat jetojnë bashkësitë keniote, të vendosura prej kohe në këtë zonë. Gjendje tejet e ndërlikuar. Ne punojmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, që drejtojnë kampet. Në këtë çast, përmes koordinimit me OKB-në, po shpërndajmë kryesisht ujë e sapun...

Pyetje: - Kush arrin nga Somalia? E në ç’kushte?

Përgjigje: - Janë fëmijë e gra. Arrijnë të stërmunduar nga situata në Somali, pasi kanë ecur pa pushim ditë e ditë. Klima nuk është e keqe, sepse vendi kalon stinën e dimrit, e megjithatë bën shumë vapë, gjë që i mundon edhe më tepër njerëzit, të cilët ecin pa ngrënë e pa pirë drejt një kampi, ku nuk dihet ç’i pret. Vijojnë të grumbullohen, duke krijuar edhe rrezikun e shpërthimit të epidemive. Po punohet, prandaj, me të gjitha forcat, për të ndaluar pikërisht përhapjen e sëmundjeve.
Mendoj se të gjithë duhet ta ndjejmë këtë, që ndodh këtu, e edhe të veprojmë në një farë mënyre, duke i ndihmuar këta njerëz si e me se të mundemi.








All the contents on this site are copyrighted ©.