2011-08-10 12:43:19

Presidenti i IOR-it, Goti Tedeski: për të dalë nga kriza, duhet vendosur njeriu në qendër të ekonomisë


Zhvillimi ekonomik i SHBA-ve është më i ngadalshëm se parashikimet e rreziqet rriten. Kështu, Federal Reserve (Banka Qendrore Amerikane) duke ridimensionuar perspektivat ekonomike për të ardhmen, lajmëroi se interesat bankare do të mbeten në nivele minimale të paktën deri në vitin 2013.
Por a është zgjidhur problemi? Ekonomia – shkruan Benedikti XVI në enciklikën “Caritas in Veritate” – “ka nevojë për etikën që të funksionojë mirë; jo për një etikë çfarëdo, por për një etikë mike me njeriun”. Kriza ekonomike-financiare, që po kalon globi, vërteton katërcipërisht këtë thënie. Të dëgjojmë komentin e ekonomistit italian Etore Goti Tedeski, president i IOR-it (Institutit të Veprave Fetare) në Vatikan:RealAudioMP3

Mund të jap edhe mendimin tim, por preferoj të nisem nga ç’thotë Papa në Enciklikën “Caritas in Veritate”, kur shpjegon se sjellja e njerëzve, që administrojnë mjete ekonomike e financiare, ka karakter moral. Njeriu, duke mos kuptuar më realitetin, duke mos iu referuar më së vërtetës e duke kërkuar me çdo kusht liri absolute, e ka shndërruar mjetin ekonomik në qëllim në vetvete, duke bërë, që ai të humbasë autonominë morale. Kemi arritur në atë pikë sa mjeti privilegjon vetveten, në vend që të punojë për njeriun.
Në fakt, politika duket e pafuqishme para spekullimit financiar, nuk është në gjendje t’i japë një shtysë ekonomisë…
Do të thosha se politika, megjithëse jo në Evropë, e ka shkaktuar këtë gjendje, sepse politika – sidomos ajo amerikane – e ka mbajtur të lartë Prodhimin e Brendshëm Brut duke hyrë në borxh e duke i detyruar kështu familjet të hyjnë në borxh, gati me 50% më shumë, në dhjetë vjet. E kjo, për të vrapuar pas konsumizmit, që ishte i domosdoshëm për të rritur Prodhimin e Brendshëm Brut. Sot, politika sheh se nuk mund t’i administrojë më këto situata, për një arsye shumë të thjeshtë: nuk ekziston më një politikë e fuqishme! Ku ka sot në botë politikë të fuqishme? Gjatë 40 vjetëve të fundit, menduam se ishin SHBA-të. Po a e qeverisin sot SHBA-të ekonominë botërore? Jo, sepse bota është globalizuar! Më parë ekonomia u referohej vendimeve dhe ndërhyrjeve të mëdha politike, por kjo sot është e kufizuar.
Për të mirën e përbashkët, shtetet duhet të gjejnë burime të reja financiare. Dikush flet për një taksë mbi të ardhurat më të mëdha, ose mbi pasuritë më të mëdha. Është e drejtë sipas jush?
Një taksë mbi pasurinë do të shërbente vetëm për çkurajimin e frikësimin e sistemit e të familjeve, që kanë kursyer. Nëse duam të marrim më shumë nga familjet, në formën e taksave, përse të mos i përdorim këto fonde për zhvillimin ekonomik? Në vend që të bëhet kjo, fondet përdoren për të zvogëluar borxhin publik, por kjo nuk ka kuptim pa rritjen ekonomike. Borxhi, edhe nëse e çojmë në zero, do të vazhdojë të rritet derisa të zgjidhen problemet e një vendi, pra derisa motorri i ekonomisë ta çojë atë përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.