Dita kundër diskriminimit të dalitëve të krishterë e myslimanë. Imzot Maçado: të gjithë
indianët janë njësoj
Sot, të krishterët indianë manifestuan në Nju Delhi në ditën, që quhet “Black Day”
(Dita e Zezë), kushtuar luftës kundër diskriminimit shoqëror të dalitëve, personave,
të cilët konsiderohen të fundmit e shoqërisë, pasi jashtë kastave të saj. Nga data
25 deri më 27 korrik, për tri ditë me radhë, u organizuan protesta për këtë qëllim
në kryeqytetin e Indisë, pasuar nga kjo e sotmja, nxitur nga Konferenca Ipeshkvnore
Indiane dhe Këshilli Kombëtar i Kishave. Përkujtimi i sotëm shënon 61-vjetorin e miratimit
të nenit të Kushtetutës, që u jep të drejta të veçanta vetëm atyre personave jashtë
kastave, të cilët janë të fesë hinduiste, budiste ose sikh, duke përjashtuar të krishterët,
myslimanët e ndjekësit e feve të tjera. Mbi gjendjen aktuale të këtyre dalitëve, intervistuam
ipeshkvin e dioqezës së Vasait, imzot Feliks Antoni Maçado:
Në shoqërinë
indiane, ai që s’bënte pjesë në kastë nuk kishte asgjë. Për t’i ngritur në rangun
e qytetarëve të tjerë, qeveria vendosi t’u njohë atyre disa të drejta, por me këtë
akt, diskriminoi shtresa të tjera. Vërtet, u njeh të drejta vetëm personave, që u
përkasin hinduizmit, budizmit dhe sikhizmit, ndërsa të krishterët e myslimanët nuk
përfitojnë nga ligji. Për Kishën, ky është diskriminim. Protestojmë që qeveria t’u
njohë këto të drejta edhe të kthyerve në fenë e krishterë, të cilët bëjnë pjesë në
kastën më të ulët, ose janë krejt jashtë kastave. Për cilat të drejta është
fjala? Për shembull, disa profesione në shoqëri e në qeveri u rezervohen hinduistëve,
po kështu edhe disa zona zgjedhore. Shpesh, përfitimi është në formën e ndihmave mjekësore
e ndihmave të tjera. Por Kushtetuta pohon se të gjithë indianët janë njësoj… A
ka shpresa se mund të ndryshojë kjo gjendje në të ardhmen? Na e kanë premtuar
kaq herë! Është e qartë se kjo kërkesë nuk bëhet vetëm nga të krishterët, por qëndrimi
politik i sotëm na tregon se hindusitët kanë frikë se mos humbasin përfitimet e privilegjet,
nëse këto ndahen edhe me të krishterët e myslimanët. Prandaj, asnjë parti politike
nuk dëshiron të na njohë e të na garantojë këto të drejta.