2011-08-10 15:42:40

DBR: eprori i Bashkësisë së Tezesë, Vëllai Alois, i fton të rinjtë ta thellojnë miqësinë me Krishtin.


(10.08.2011 RV)“Të jetohet në unitet, për të kërkuar bashkimin me gjithë të pagëzuarit”. Një javë para fillimit të Ditës Botërore të Rinisë, në Madrid, Vëllai Alois, epror i Bashkësisë së Tezesë, në Francë, u drejton, përmes mikrofonit tonë, këtë ftesë, shoqëruar me një urim të sinqertë, të rinjve që do të marrin pjesë në DBR-së, duke u kujtuar se ka shumë rëndësi të rigjejnë guximin për t’u impenjuar në Kishë e në shoqëri:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ne jemi të lumtur që disa të rinj, të cilët vijnë nga larg, nga Azia, nga Afrika e nga Amerika Latine – do të ndalohen më parë këtu, në Tezè, për të shkuar, më pas, në Madrid, ku do të marrin pjesë në kremtimet e DBR-së. Tema “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe” është themelore. Ne shpresojmë, e unë personalisht shpresoj shumë, se një numër i madh të rinjsh do të ketë mundësinë t’i thellojë marrëdhëniet personale me Krishtin, me Zotin. Mendoj se ky është edhe qëllimi, është ajo, që kërkojmë të arrijmë, së bashku me të rinjtë, të cilët do të ndalohen për një çast këtu, në Tezè, për të vijuar, pastaj, shtegtimin e madh.

Pyetje: - Rinia, nënvizon Papa, frymëzohet nga idealet e mëdha, kërkon lidhje të vërteta, që e ndihmojnë të ecë me guxim e pa frikë, në udhë të ngushta, sepse janë pikërisht shtigjet e ngushta e të thepisura, ato që të çojnë në majat më të larta...

Përgjigje: - Po, shpresojmë që të rinjtë do ta gjejnë në fe guximin për t’u impenjuar në Kishë e në shoqëri. Ka rëndësi të madhe që të gjithë ta shikojnë me sytë e tyre se edhe sot e kësaj dite në botë ka njerëz, të cilët e jetojnë vërtet jetën e krishterë e vijojnë të mendojnë se të dhurosh jetën, është burim gëzimi.

Pyetje: - Shoqëria e sotme, me sa duket, vijon ta përjashtojë Zotin...

Përgjigje: - Po, është e vërtetë, por në se të rinjtë kanë etje shpirtërore, kanë dëshira shpirtërore, mund e duhet t’i përgjigjemi kësaj etjeje, këtyre dëshirave.

Pyetje: - Tezè është bashkësi e përbërë nga njerëz të kombësive të ndryshme, të bashkuar nga i njëjti qëllim...
Përgjigje: - Duhet të kërkojmë gjithnjë bashkimin: Krishti na ka kërkuar të jetojmë sa më të bashkuar. Nuk mund ta jetojmë fenë e krishterë të mbyllur ndër katër muret e kishave tona. Duhet të kërkojmë bashkimin me gjithë të pagëzuarit. Lidhja ndërmjet nesh nuk mungon. Na lidh Pagëzimi, na lidh Fjala e Zotit. Ndoshta në Madrid do të jenë të pranishëm edhe të rinj jo katolikë, që kërkojnë pikërisht këtë bashkim.







All the contents on this site are copyrighted ©.