Siria: Turqia dhe vendet e Gjirit Persik të rishikojnë qëndrimet e tyre
Në Siri vazhdojnë vrasjet e duket se nuk mjaftojnë 1.700 viktimat që regjimi i Bashar
Al-Asadit ka shkaktuar që nga mesi i marsit të këtij viti. Edhe sot janë vrarë së
paku 20 vetë në ndeshjet me forcat e ushtrisë. Ndërkaq, Damasku mbetet gjithnjë e
më tepër i vetmuar, për shkak të tërheqjes së ambasadorëve të vendeve arabe. Dje u
larguan ambasadorët e Arabisë Saudite, të Kuvajtit e të Bahreinit. Sot, ministri i
jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ndodhej në Siri për të biseduar me presidentin Bashar
al-Asad. Më 14 gusht do të mbahet një mbledhje e vendeve arabe të Gjirit Persik për
të diskutuar mbi dhunën siriane, të cilën para dy ditësh e dënoi edhe Lidhja Arabe
e mbreti saudit e quajti “të papranueshme”. Siria, siç shkruan në editorialin e sotëm
gazeta kryesore e regjimit, shpreson që të gjitha këto vende t’i rishikojnë qëndrimet
e tyre e t’i njohin Damaskut të drejtën për “të shtypur aksionet terroriste, që i
pëson edhe vetë popullsia”, siç shkruhet në faqen e parë.