Festa e shën Terezës Benedikta e Kryqit, martire e nazizmit për hir të dashurisë për
Zotin e për popullin e saj
Kisha kremton sot festën e shën Terezës Benedikta e Kryqit, e cila para se të bëhej
murgeshë, mbante emrin Edit Shtajn e pasi u bë karmelitane e u martirizua për Krishtin,
u shpall shenjte dhe bashkëpajtore e Evropës. Filozofja gjermane e fesë hebraike u
kthye në fenë e krishterë në vitin 1921, pasi lexoi autobiografinë e shën Terezës
së Avilës. Si sot, në vitin 1942, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit së bashku
me të motrën Roza. Mëse një herë, Benedikti XVI, në katekizmin e tij, është ndalur
e ka reflektuar për këtë figurë martireje. Prekëse, fjalët e Papës për Edit Shtajnin,
me rastin e vizitës në kampin nazist të Aushvicit, në maj të vitit 2006. Në “tmerrin
e natës” se Luftës II Botërore, pati thënë Ati i Shenjtë, shën Tereza Benedikta e
Kryqit nuk e humbi kurrë shpresën në Zotin e jetës e të dashurisë. Ajo u bë martire,
sepse e ndoqi Hyjin deri në fund e kështu, fitoi mbi urrejtjen e mbi dhunën. Po të
fshihej në një kuvend karmelitanesh në Hollandë, Edit Shtajn mund të shpëtonte nga
furia e Gestapos, që e kërkonte pse ishte çifute, por ajo, megjithëse tashmë e krishterë,
ndjehej bijë e Izraelit e ndau fatin e popullit të saj deri në dhomën me gaz, ku e
mbytën bashkë me të tjerë më 9 gusht 1942. E Papa ndalet pikërisht në dëshminë, që
dha shenjtja:
“Si e krishterë
dhe hebre, ajo pranoi të vdiste së bashku me popullin e vet dhe për të. Gjermanët,
që atëherë u sollën në Aushvic-Birkenau e këtu edhe vdiqën, shiheshin si “Abschaum
der Nation”, si plehrat e kombit. Por tani, ne i shohim me mirënjohje si dëshmitarë
të së vërtetës e të së mirës, që nuk kishte perënduar edhe në këtë popull. I falenderojmë
këta njerëz, sepse nuk iu nënshtruan pushtetit të së keqes e tani qëndrojnë para nesh
si dritat në natën e errët” (Aushvic, 28 maj 2006).
Si filozofe, nxënëse
e Huserlit, Edit Shtajn kërkoi gjithnjë të vërtetën. E gjeti në Kryq dhe kuptoi se
e vërteta është një Person: Jezu Krishti. Vetëm duke marrë Kryqin mbi supe, na mëson
ajo, mund të pranojmë vullnetin e Zotit, edhe para vuajtjeve më të tmerrshme. “Sa
më shumë të bjerë nata rreth nesh – thoshte Edit Shtajn – aq më shumë duhet ta hapim
zemrën për dritën që vjen nga lart”:
“Shenjtja karmelitane Edit Shtajn na
e dëshmoi këtë në kohë persekutimesh. Kështu shkruante nga Karmeli i Këlnit në vitin
1938: ‘Sot e kuptoj… se ç’do të thotë të jesh nusja e Zotit nën shenjën e kryqit,
megjithëse plotësisht nuk do të kuptohet kurrë, pasi është mister…” (Lutja e Engjëllit
të Tënzot, 20 qershor 2010).
Edit Shtajn, ashtu si shën Masimilian Kolbe,
edhe ai viktimë e çmendurisë naziste, na zbulojnë cila është llogjika e martirizimit:
vdekja e Jezusit, flijimi i tij më i lartë për hir të dashurisë:
“Është
llogjika e kokrrës së grurit, që vdes për të mbirë e për të sjellë jetën (shih Gjn
12,24). Jezusi është kokrra e grurit, që vjen prej Zotit, kokrra hyjnore e grurit,
që bie mbi tokë me dëshirën e vet, që lejon ta ndajnë e ta copëtojnë përmes vdekjes
e, pikërisht nëpër këtë rrugë, mbin e lulëzon për të sjellë fryte në botën mbarë”
(Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010)
“Nëse lexojmë jetën e martirëve
– thotë Papa, duke menduar pikërisht për figura si Edit Shtajn e Masimilian Kolbe
– çuditemi nga qetësia e guximi për të përballuar vuajtjet e vdekjen”. Hiri i Zotit,
thekson Benedikti XVI, “nuk e mbyt lirinë e atij që martirizohet, përkundrazi, e pasuron
dhe e ngre në qiell”:
“Martiri është një person jashtëzakonisht i lirë,
i lirë para pushtetit të botës. Një person i lirë, që në një akt të vetëm përfundimtar
i dhuron Zotit krejt jetën e vet dhe, në një akt tejet të lartë feje, shprese dhe
dashurie e braktis veten në duart e Krijuesit e të Shëlbuesit të botës; flijon jetën
e vet për t’u bashkuar plotësisht me Flijimin e Krishtit në Kryq. Me një fjalë: martirizimi
është një akt i madh dashurie, që i përgjigjet dashurisë së pamatë të Zotit” (Audienca
e përgjithshme, 11 gusht 2010).