2011-08-08 19:16:36

Kujtimi liturgjik i Shën Domenikut. Papa: Krishti është pasuria më e madhe, njerëzimi ka të drejtë ta njohë e ta dojë.


Sot Kisha kremtoi festën liturgjike të Shën Dedës së Guzmanit, themelues i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë, që njihen edhe me emrin domenikanë. Benedikti XVI i kushtoi audiencën e përgjithshme të 3 shkurtit, të vitit të kaluar.

Papa kujton posaçërisht një karakteristikë të Shën Domenikut, apo Dedës, siç e quan tradita shqiptare: përvujtërinë. Qe tejet i nderuar, kreu detyra të rëndësishme, por i shikoi të gjitha si shërbim, pa rënë kurrë në tundimin për ta parë meshtarinë si rrugë për karrierë të shkëlqyer kishtare:
“A nuk është tundim, ai i karrierës, i pushtetit; tundim nga i cili nuk përjashtohen as ata, që luajnë role drejtuese në Kishë? E dimë mirë se në shoqërinë civile e, jo rrallë, edhe në Kishë, punët nuk shkojnë si duhet sepse ata, të cilëve u është ngarkuar ndonjë përgjegjësi, punojnë për vetveten e jo për bashkësinë”.
Shën Domeniku, i lindur rreth vitit 1170 në gjirin e një familjeje fisnike të Kastilies së Vjetër, Spanja e sotme, kishte një dashuri të jashtëzakonshme për studimin e, kryesisht, për teologjinë, por përballë mungesave të shkaktuara nga luftërat e kohës, e edhe më tepër, nga indiferenca e shumëkujt, shiti ç’kishte më të çmuar, deri librat, për t’i siguruar një kafshatë bukë, atyre që nuk e kishin. Dëshira e tij më e madhe ishte të kumtonte dashurinë e të vërtetën, Fjalën e mishëruar të Zotit. Themeloi, prandaj, Urdhërin e Domenikanëve, pikërisht për të ungjillëzuar njerëzit, që nuk e njohin Krishtin e për të riungjillëzuar, ata që largohen prej Tij:
“Ky Shenjt i madh na kujton se në zemër të Kishës duhet të mbetet gjithnjë i ndezur zjarri misionar, i cili të shtyn vazhdimisht të përhapësh kumtimin e parë të Ungjillit e, atje ku është e nevojshme, të punosh edhe për ungjillëzimin e ri: e kjo, sepse Krishti është pasuria më e çmuar, që njerëzit e të gjitha kohëve e të të gjitha vendeve, kanë të drejtë të plotë ta njohin e ta duan”.
Motoja e tij ishte “Prediko e ec!”, por, duke menduar se ishte fjala për të predikuar Fjalën e Zotit, deshi që vëllezërit e tij të kishin përgatitje të shkëlqyer: kështu iu duk e nevojshme t’i dërgonte për të studiuar në universitetet më në zë të kohës:
Zhvillimi i kulturës i detyron ata, që predikojnë Fjalën e Zotit në nivele të ndryshme, të jenë të përgatitur mirë. I porosis, prandaj, të gjithë, barinj e laikë, të kujdesen shumë për këtë përmasë kulturore të fesë, në mënyrë që bukuria e së vërtetës së krishterë të kuptohet sa më mirë e feja të ushqehet, të fuqizohet e edhe të mbrohet”.
Shën Deda ishte fjalëpaktë. E hapte gojën vetëm kur fliste me Zotin ose për Zotin. Mbi të gjitha besonte shumë në forcën e lutjes. Për t’i ndihmuar njerëzit e thjeshtë të luten, i mësoi të meditojnë rreth mistereve të jetës së Jezusit, duke thënë ‘Të falemi Mari-në’. Ishte fillesa e Rruzares. Për të, të lutesh, do të thoshte të fitoje shpirtra për Zotin. Prandaj i dha rëndësi të madhe manastireve femërore të klauzurës:
... besoi deri në fund të fundit në vlerën e lutjes së ndërmjetësimit për punën apostolike. Vetëm në Parajsë do ta kuptojmë rëndësinë e lutjes e klaustraleve për kryerjen me sukses të veprimtarisë apostolike!”.
Shën Deda vdiq më 6 gusht të vitit 1221, në kuvendin domenikan të Bolonjës, në një qeli, që nuk ishte e tija, sepse ai, themeluesi, nuk e kishte një të tillë. Sivëllezërve të tij u la këtë testament shpirtëror: “Mbajeni të ndezur flakën e dashurisë së krishterë, ruajeni përvujtërinë, mblidhni thesare varfërie shenjte”.
U shpall shenjt më 13 korrik 1234, nga Papa Gregori IX. Urdhëri Domenikan numëron sot më se 600 shtëpi, me më se 6 mijë anëtarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.