2011-08-08 17:48:42

DBR-ja e Madridit. Kardinali Rilko: një festë e rinisë së Kishës


Edhe tetë ditë e të rinjtë e mbarë botës do të fillojnë në Madrid, festimin e Ditës së tyre. Besimtarët e krishterë spanjollë e presin me padurim këtë ngjarje të rëndësishme për jetën e Kishës, por sidomos vizitën e Benediktit XVI, që do të fillojë më 18 gusht. Spanja është tashmë gati t’i presë pjesëmarrësit në Ditën Botërore të Rinisë në 68 dioqezat e vendit. Nga data 16 deri më 21 gusht, katekizmi do të mbahet nga 270 ipeshkvij, në 30 gjuhë të ndryshme. Festa e të rinjve përjetohet si një lloj “Rrëshajësh”, pohon në mikrofonin tonë, kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislao Rilko:RealAudioMP3

Dita Botërore e Rinisë në Madrid është tashmë shumë afër. Do të jetë një ngjarje e rëndësishme kishtare, festë e rinisë së Kishës, dëshmi tërheqëse e fesë rinore, plot entuziazëm e dinamizëm misionar. Bota e sotme – sidomos kjo Evropa jonë – ka nevojë urgjente për një dëshmi të tillë. Megjithatë, frytet e secilës prej Ditëve Botërore të Rinisë në jetën e të rinjve varen si nga mënyra e përgatitjes së ngjarjes, ashtu edhe nga ndikimi që ka ajo në baritorinë e zakonshme për të rinjtë në çdo dioqezë. Nëse mungojnë këto elemente, ka rrezik që Dita Botërore vërtet t’i shkundë të rinjtë, t’u zgjojë emocione të fuqishme, por pastaj, çdo gjë rrezikon të mbetet si më parë e të kthehemi në jetën e zakonet e përditshme… Pra, siç thotë populli, “flakë kashte”! Ati i Shenjtë Benedikti XVI pohon me forcë se çdo DBR duhet të sjellë risi në baritorinë rinore… E fatmirësisht, kjo vetëdije është gjithnjë e më e pranishme në jetën e shumë Kishave lokale. DBR-të janë tashmë pjesë përbërëse e baritorisë së Kishës për brezat e rinj. E kësaj here i takon Kishës së Spanjës, që gjatë përgatitjes së kësaj ngjarjeje të madhe rinore, të gjejë vetveten, rrënjët e saj shpirtërore e pasurinë e fshehur të të rinjve të saj.
Sipas jush, cilat janë nismat më të rëndësishme në këtë periudhë në Madrid?
Programi i DBR-së së Madridit është shumë i pasur. Po ndalem vetëm në disa kremtime, që sipas meje, janë më të rëndësishmet. Kremtimet në kryeqytetin spanjoll do të paraprihen nga vizita e të rinjve në 68 dioqezat e Spanjës. Në këtë mënyrë, e gjithë Kisha në Spanjë do të përfshihet në ngjarje. Pastaj, në Madrid, nga 16 deri më 21 gusht, programi parashikon tri ditë katekizmi, mbajtur nga 270 ipeshkvij e shqiptuar në 30 gjuhë të ndryshme: do të jenë një lloj Rrëshajësh të Madridit… Të premten, më 19 gusht, në mbrëmje, nëpër rrugët e kryeqytetit, me pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë, do të kemi Udhën e Kryqit. Fanari i çdo DBR-je është gjithnjë Pasardhësi i Shën Pjetrit. Prania e fjala e tij pritet me padurim nga të rinjtë. Pas mirëseardhjes solemne në “Plaza de Cibeles”, të enjten, më 18 gusht, Ati i Shenjtë do të kryesojë dy ngjarje kryesore: Mbrëmjen e lutjes në program për të shtunën, 20 gusht, dhe kremtimin eukaristik të së dielës, 21 gusht, gjatë të cilit do t’i ftojë të pranishmit të bëhen misionarë të Ungjillit. Pra, jemi të sigurtë se kjo e Madridit, do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme për Kishën, e cila është mike me të rinjtë, merr pjesë në problemet e tyre… një Kishë, që dëshiron të jetë në shërbim të brezave të rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.