Në të dielën e 19-të të vitit kishtar, kalendari na kujton festën e shën Sikstit
II, papë e të shokëve të tij martirë, si edhe të shën Gaetanos Tiene, meshtar, themelues
i teatinëve. Në detin e trazuar, dishepujt mbi varkë mendojnë se po shohin një fantazmë
që shkon drejt tyre, na tregon Ungjilli i sotëm. Është Jezusi, që i fton të mos kenë
frikë e të besojnë në Të. Një episod simbolik, i ngjashëm me rrugën, që përshkon Kisha,
në detin e trazuar të botës: gjithnjë të sulmuar nga e keqja, nganjëherë, dishepujt
e Krishtit mendojnë se ai është larg, por Zoti afrohet si një puhizë e lehtë, gati
e pandjeshme, për të zgjuar në zemra fenë.
Të hënën, 8 gusht, Kisha
Katolike kremton shën Domenikun nga Guzman, meshtar, themelues i Urdhërit të Predikatarëve,
si edhe shenjtorët Qiriako, Largo e Smaragdo, martirë. Kremtoje Zotin, o Jeruzalem,
thotë psalmi i kësaj dite. Ndërsa në Ungjill, Jezusi është i vetëdijshëm për ditët
e errta që e presin, por, duke pasur parasysh Ringjalljen, vazhdon të na edukojë për
të krijuar marrëdhënie të drejta me institucionet fetare e politike.
Të
martën, më 9 gusht, përkujtohen shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër e martire,
pajtore e Evropës, si edhe shën Romani, martir. Ja dhëndrri – thotë psalmi i kësaj
dite – shkoni ta takoni Krishtin Zot. Edit Shtajn – ky është emri i shën Terezës para
se të bëhej murgeshë – shkon të takojë Krishtin në rrugët e filozofisë, të fesë e
të martirizimit në kampin nazist të Aushvicit, duke dëshmuar se në çdo çast, në çdo
situatë, duhet të jemi gati për ardhjen e Hyjit.
Shën Lorenci, diakon e martir
dhe shën Blano kujtohen të mërkurën, më 10 gusht. Gjaku i derdhur nga shën
Lorenci dëshmon se kush e humb jetën për Krishtin në këtë botë, do ta ruajë atë për
amshim. Lum njeriu që ka frikën e Tënzot, këndon psalmi i kësaj dite.
Të
enjten, më 11 gusht, Kisha Katolike kremton shën Kiarën e Asizit, virgjër, themeluese
e Klariseve, shën Tiburcin, martir dhe shën Suzanën romake. Shën Kiara, me butësinë
dhe vendosmërinë e saj, na nxit të imitojmë Atin Qiellor: të falim gjithnjë me zemër
të tjerët, duke pasur mëshirë për ata, që e kërkojnë faljen prej nesh. E kështu na
mëson edhe Krishti në Ungjillin e ditës.
“Dashuria e tij është përgjithmonë”
këndon të premten psalmisti. Më 12 gusht përkujtohen shën Gjovana Françeska
di Shantal, rregulltare, shën Inoçenci XI, papë, shën Erkolani e shën Leila. Në Ungjill,
Jezusi shndërron thellësisht të gjitha marrëdhëniet, edhe ato ndërmjet burrit e gruas,
duke i quajtur farisenjtë zemërgurë, pasi i përzënë gratë për të marrë të tjera. Çifti
bashkëshortor, me këtë ndërhyrje të Krishtit, bëhet i pandashëm, simbol i dialogut
ndërmjet Zotit e njerëzimit.
“Lërini fëmijët të vijnë tek unë”: këto fjalë
të Jezusit jehojnë në Ungjillin e së shtunës, 13 gusht, duke na kujtuar se
vetëm ata që bëhen vërtet të vegjël, pra që ia besojnë veten krejtësisht Hyjit, mund
të hyjnë në portat e Mbretërisë së Qiellit. Në këtë ditë kremtojmë shën Poncianin,
papë e shën Ipolitin, meshtar, të dy martirë, si edhe shën Gjonin Berkmans, jezuit.
E
diela e ardhshme, 14 gusht, është e 20-ta e vitit kishtar. Shën Masimilian Maria
Kolbe, shenjt i kohëve të vështira të nazizmit, mbush në këtë ditë 70-vjetorin e martirizimit.
E ofroi veten në vend të një babai me familje e fëmijë, për të vdekur me mundime në
bunkerin e urisë, ku e hodhën nazistët në Aushvic.