2011-08-06 10:42:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Të dashur dëgjues, jeta jonë e jeta e Kishës është porsi një barkë e vogël në stuhi. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të gjejmë praninë e mistershme të Hyjit Atë, që na ndihmon në çastet më të vështira, na dëfton fytyrën e tij të mëshirshme në të Birin e Tij Jezu Krishtin e na mbush me dhurata të Shpirtit Shenjt për të jetuar e dëshmuar dashurinë e Tij.
Pra, leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të përshkojmë udhën e fesë e të lëshojmë krejtësisht e plotë besim jetën tonë në duar të Atit Qiellor.
Leximi i parë na paraqet Elinë profet, i cili i përndjekur nga mbretëresha Gezabela ikën në shkretëtirë e i dëshpëruar i drejtohet Zotit duke i kërkuar vdekjen. Mirëpo Zoti i dëftohet në një puhi fryme të lehtë dhe i jep zemër e përforcon në fe.
Psalmi 84-të është një kërkesë e popullit që kthehet nga mërgimi dhe i kërkon Zotit një përforcim të mëtejshëm të fesë për të ditur ti sheh e kuptojë shenjat e pranisë së Tij Hyjnore.
Shën Pali në leximin e dytë rrëfen vuajtjen për popullin e vet, Izraelin e historisë, që, i zgjedhur për të përgatitur ardhjen e Shpëtimtarit, nuk ka ditur ta njoh e pranojë në fe.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu, përshkruan e paraqet udhën e fesë që Jezusi u kërkon ta përshkojnë nxënësit e tij të tmerruar në barkë që gjendej në mesin e detit në përplasje të valëve të stuhishme.
E si shembull të bindjes ndaj udhëzimeve të Zotit e mësues të udhës së fesë, liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele na propozon tri figura biblike: Elinë, Palin e Pjetrin. Këta personazh për shumë aspekte përngjajnë shumë me ne, që me momente entuziazmi, dëshpërimi, frike e euforie, e jetojmë udhën e fesë në mënyrë të luhatshme. Para Elisë, që ka luftuar e rrezikuar jetën, Zoti i dhuron provën e dashurisë së tij e të ngushëllimit të tij. Ndaj Pjetrit e grupit të apostujve, të tronditur e të rraskapitur nga përvoja e jetës misionare, Jezusi u imponon një verifikim, në të cilin ata konstatojnë mangësinë e tyre. Mirëpo “shpëtimi është afër atyre që e druajnë e lavdia e tij do të banojë në vendin e tonë…përpara tij do të ecën drejtësia e në udhën e tij Hyjnore shpëtimi” (Ps 84,10.14). Më të vërtetë, çka mund të pret besimtari përveç se ta shoqërojë e përcjell në jetën e tij drejtësia e shpëtimi që vijnë prej Zotit, në mënyrë që rruga të jetë e sigurt? Prandaj, “guxim”, mos ki frikë”, sepse erërat e kundërta, për sa të forta e të stuhishme të jenë, nuk mund të na pengojnë t’i japim përgjigjen e fesë e të besimit Zotit që na ka mbushur me të mira të Tij Hyjnore.
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.