2011-08-06 12:25:19

Gruaja e presidentit irakian Talabani, në meshën për të plagosurit e Kirkukut


Të krishterët e Irakut u vunë në shënjestër javën që kaloi në Kirkuk, ku një autobombë shpërtheu të martën pranë kishës së Familjes Shenjte, duke shkaktuar 19 të plagosur, prej të cilëve, pesë katolikë e të tjerët myslimanë.
Të enjten, në meshën e kremtuar në këtë kishë për t’i dhënë popullsisë një mesazh shprese e paqeje – siç theksoi famullitari, don Emad Jokahna – qe e pranishme edhe gruaja e presidentit irakian, Xhelal Talabani. Ndërkaq, një nga eksponentët fetarë myslimanë të bashkësisë së Kirkukut, shehu Abas Musa theksoi se myslimanët luten së bashku me vëllezërit e krishterë për t’ua bërë të qartë terroristëve, të cilët nuk bëjnë dallim ndërmjet vendeve të kultit, se e kanë kuptuar që i vetmi qëllim i tyre është të vrasin të pafajshmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.