Fond emergjence i ipeshkvijve keniotë për popullsitë, që vuajnë nga thatësira
Janë 13 milion, personat që vuajnë nga thatësira në Bririn e Afrikës. Javës së kaluar,
por edhe më parë, Radio Vatikani në veçanti, por në përgjithësi, krejt shtypi botëror,
vuri në qendër të vëmendjes situatën e Somalisë, për të cilën OKB-ja ka shpallur zinë
e bukës. Vende të tjera të përfshira në këtë tragjedi janë Kenia dhe Etiopia, ku vazhdojnë
të shkojnë refugjatë somalezë, në përpjekjen për të gjetur kushte më të mira jetese. Kisha
Katolike është në vijën e parë të frontit për të ndihmuar popullsitë me ushqime, veshmbathje
e ilaçe, të cilat ka filluar t’i shpërndajë përmes organizmave të saj në vend. Në
një komunikatë, me të cilën bëjnë thirrje që i gjithë kombi të kontribuojë në favor
të popullsive të goditura nga thatësira, ipeshkvijtë e Kenias shprehin shqetësimin
për miliona njerëzit, që po vdesin nga uria. Pavarësisht se situata më e vështirë
është në Somali, edhe Kenia e ndjen shumë krizën e rëndë ushqimore, jo vetëm sepse
në territorin e saj qëndrojnë mijëra refugjatë somalezë, por edhe sepse thatësira
është përhapur edhe në këtë vend. Në mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore Keniote
theksohet se tragjedia është më e rëndë për barinjtë dhe për familjet, që jetojnë
me bujqësi. Pasojat e thatësirës janë jo vetëm mungesa e ushqimit dhe rritja e çmimeve,
por edhe mungesa e ujit, emigracioni dhe rritja e konflikteve, ushqimi i keq i fëmijëve
dhe braktisja e shkollave prej tyre, si edhe ngordhja e kafshëve shtëpiake. Për këtë
arsye, ipeshkvijtë kanë krijuar një fond emergjence (Catholic Charity Emergency Fund)
dhe u kanë bërë thirrje të gjithëve të kontribuojnë në të. Gjithashtu, famullitë e
strukturat e ndryshme të Kishës po organizojnë grumbullimin e ushqimeve.