2011-08-04 17:29:22

Papa inkurajon fëmijët e Fukushimës, katolikët japonezë kujtojnë tmerrin bërthamor


Njëzetë fëmijë të shkollave fillore të Ofunatit, të goditur nga rrezatimi radioaktiv pas aksidentit në centralin bërthamor të Fukushimës marsin e kaluar, morën pjesë në Audiencën e Përgjithshme që u mbajt dje paradite në sheshin qendror të Kastelgandolfit. Fëmijët “i premtuan Papës – shkruan gazeta l’Osservatore Romano – që nuk do të dorëzohet kurrë” dhe i kanë rrëfyer e ripohuar tërë “vullnetin e tyre për të jetuar e për t’u rilindur”. Në një kartolinë, njofton gazeta vatikanase, fëmijët japonezë ripohuan edhe me shkrim angazhimin e tyre për “të mos u dorëzuar kurrë”, për të mos hequr dorë nga shpresa e ringjalljes, nga shpresa e “rindërtimit të qytetit që është gjithnjë më i bukuri” për ta, për “të mos humbur buzëqeshjen”, për “të bërë gjithçka që të lulëzojë lulja e shpresës”. Pikërisht për të simbolizuar këtë shpresë, nënvizon artikulli, “kryetari i bashkisë së Hokutos, Masashi Shirakura, dhuroi një degë të qershisë dymijëvjeçare. Një vullnet i ringjalljes që, shpjegon, është i njëjtë me atë që bëri të çonim lartë kokën në Nagasaki pas bombardimit bërthamor të 9 gushtit 1945. Qenë pikërisht lulet që u ringjallen vetëm tridhjetë ditë pas atij tmerri, duke befasuar të gjithë e duke u bërë kështu simbol shprese”








All the contents on this site are copyrighted ©.