2011-08-03 17:00:00

Stuhi tropikale në Filipine: së paku 70 të vdekur nga përmbytjet


Së paku 70 vetë kanë humbur jetën në Filipine për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut nga shirat e rrëmbyeshme, që kanë rënë këto ditë në arqipelag. Shkolla, zyra qeveritare e institucione i kanë mbyllur dyert. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e një stuhie tropikale të afërt. Mbi gjendjen në vendin aziatik, të dëgjojmë misionarin e Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme (PIME), atë Gjovani Re, i cili ndodhet aktualisht në Filipine:
Gjendja po përmirësohet pak. Shpresojmë, megjithëse kanë lajmëruar se do të bien shira të mëdha deri të premten. Shirat e deritanishme i kanë mbushur lumenjtë dhe kanë krijuar baltë në terren, aq sa nuk mban më ujë, prandaj në disa vende kemi pasur përmbytje. Këto janë të vazhdueshme, sepse mungon drenazhi, por edhe mirëmbajtja e tij, aty ku ekziston, sidomos për shkak të zakonit të keq të njerëzve për të hedhur qese plastike kudo. Qeset shkaktojnë bllokimin e kanaleve, të cilat nuk arrijnë më të shkarkojnë ujin e shirave.
Një fenomen tjetër shqetësues është ai i shkarjes së dheut…
Nëpër kodra ka pasur shkarje dheu. Kjo varet nga prerja pa dallim e pemëve. Praktikisht, nuk ka më pemë që ta mbajnë dheun. Si pasojë, kur shirat janë të bollshme e uji hyn në terren, kemi shkarje. Fatkeqësisht, nganjëherë dikush edhe vdes nën dhe, ose humb shtëpinë, që e mbulon dheu. Sidomos në vendet e izoluara, Kisha punon për të dalë nga gjendja e emergjencës, ndërsa, në vende të tjera, bashkëpunon me agjencitë qeveritare për të ndihmuar të shpërngulurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.