2011-08-03 18:42:03

SHBA: besimtarët mbrojnë Kryqin e Graund Zirou nga kritikat e një grupi ateist.


“Kryqi është simbol ngushëllimi për ata, që humbën këtu të dashurit e tyre, por edhe shprese e mbështetjeje, për njerëzit, që shpëtuan gjallë, posaçërisht për ata, që u impenjuan në dhënien e ndihmës, për zjarrfikësit, policët, punonjësit e rindërtimit e shumë e shumë të tjerë”. Kështu i përgjigjet atë Brian Jordan, rregulltar françeskan, padisë së bërë nga ana e shoqatës për të drejtat e ateistëve në SHBA, kundër Kryqit, me gjatësi gjashtë metra, dy hekura viganë, kryqëzuar në formë T-je nga shembja, gjetur në mes të gërmadhave, që bashkësia e krishterë e Nju Jorkut e transferoi nga Graund Zirou, në Muzenë kombëtar përkujtimor, i cili do të përurohet më 11 shtatorin e ardhshëm. “Kryqi e vë krishterimin mbi fetë e tjera, ndërsa 11 shtatori nuk ka të bëjë fare me krishterimin” – ky është motivacioni i denoncimit, sipas kryetarit të ateistëve, Dejv Silvermen. Por ndërsa ateistët i kundërvihen Kryqit vigan, sipas gazetës vatikanase L’ Osservatore Romano, mijëra njerëz ndalohen para tij për një çast lutjeje a meditimi ndërsa, në mbrojtje të simbolit të krishterimit, po vihet në lëvizje edhe Organizata e krishterë “Qendra amerikane për të drejtat civile”, aktive në favor të lirisë fetare në botë, sipas së cilës çështja, në këndvështrimin ligjor, është krejt e pathemeltë. Drejtori i muzeumit, Xho Daniels, thekson se Kryqi përfaqëson një pjesë të rëndësishme të impenjimit për të treguar historinë e 11 shtatorit, sepse mund ta rrëfejë më mirë sesa asnjë simbol tjetër. Ndryshe mendojnë ateistët, sipas të cilëve ligji mbi të drejtat civile, në fuqi në Nju Jork, që po na u shkelka, në se vendoset Kryqi, dhunoka, kështu, edhe vetë Kushetutën e SHBA-ve, mbasi - gjithnjë sipas tyre – në një muze, realizuar me fonde publike, nuk mund të vendoset simboli i një feje të vetme. Prej këndej, është fyerje kundër atyre, që besonin në fe të tjera. Duhet hequr, prandaj, e menjëherë, në se nuk mendohet të vendosen edhe simbole të besojmave të ndryshme. Ose ose, propozojnë ateistët, do të ishte mirë që pranë kryqit të vendosej një monument ateist, për të përkujtuar 500 vetë, pa asnjë fe, që humbën jetën gjatë atentateve. Negative, përgjigjja e fondacionit, që drejton punimet, i cili përligjet duke theksuar se nuk ka vend për të shtuar monumente të tjera. Ndërsa kryetari i Bashkisë, Blumberg dhe presidenti Obama shprehen në mbrojtje të të gjitha lirive fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.