2011-08-03 16:57:50

Papa në audiencën e përgjithshme: në këtë periudhë pushimesh, kushtojini kohë leximit të Biblës.


“Në verë, kohë kur njeriu kërkon prehje, mund të rizbuloni sa gjë e bukur është të lexosh Biblën”: këtë ftesë u drejtoi Benedikti XVI besimtarëve gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Kastel Gandolfo, e para pas ndërprerjes së korrikut. Duke iu drejtuar turmës entuziaste, mbledhur në sheshin para Pallatit Apostolik, Papa vuri theksin tek pasuria shpirtërore e kulturore, që mund të fitohet falë leximeve në përgjithësi e, në veçanti, leximit të Librave të Biblës.

Në verë, duke i kushtuar më shumë kohë leximit, mund të zbulojmë bukurinë e Biblës – kujtoi Benedikti XVI gjatë audiencës të së mërkurës, kremtuar në një atmosferë posaçërisht festive. Papa nënvizoi se koha, që tradicionalisht i kushtohet prehjes e çlodhjes, mund e duhet shfrytëzuar në mënyrë sa më të frytshme:
Secili nga ne ka nevojë për kohë e hapësirë kushtuar lutjes, meditimit, prehjes... Falënderojmë Zotin, që është kështu! Kjo kërkesë na kujton se nuk jemi krijuar vetëm për të punuar, por edhe për të menduar, për të reflektuar, ose thjesht, për të ndjekur me mendje e me zemër një rrëfim, një histori, në të cilën mund të gjejmë vetveten, të “kridhemi”, në një farë mënyre, në një veprimtari, që ndryshon nga ajo e përditshmja, për t’u rikthyer nga prehja, në punë, shumë më të pasuruar”.
Natyrisht – vërejti Papa – shumë nga librat, që lexohen gjatë pushimeve, janë kryesisht çlodhës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’u kushtohemi edhe leximeve vërtet impenjative. Prej këndej, edhe propozimi i Benediktit XVI:
“Pse të mos i shfletojmë disa Libra të Biblës, që zakonisht nuk i njohim? Ose nga të cilët kemi dëgjuar ndonjë fragment gjatë Liturgjisë, por nuk i kemi lexuar kurrë plotësisht? Në të vërtetë, shumë të krishterë nuk e lexojnë kurrë Biblën. Kanë, kështu, për të njohuri shumë të kufizuara e të cekta”.
Bibla – vijoi të theksonte Papa - është si një përmbledhje librash, ‘një bibliotekë e vogël’. Disa nga këta libra – shpjegoi – janë pothuajse të panjohur për një mori njerëzish. Madje edhe për disa të krishterë të mirë. Citoi, më pas, një kolanë librash, vërtet tërheqës, madje mahnitës, nga ‘biblioteka e vogël biblike’, si Libri i Tobisë”, që ndikon aq shumë mbi lexuesin, duke vënë në pah vlerat e martesës e të familjes; “Libri i Ester”, që të kujton forcën e lutjes; “Libri i Rut”, kushtuar fuqisë së pamposhtur të Hyjit. Janë libra të shkruar me aq art, sa ua kalojnë të gjitha kryeveprave të letërsisë botërore. Prandaj Bibla konsiderohet si Libri i Librave, kryevepër e kryeveprave. Mos të harrojmë: është Fjala e Zotit! Më pas Ati i Shenjtë kujtoi:
“Këta libra të vegjël mund të lexohen me një frymë vetëm në një orë. Më impenjativë, e kryevepra të vërteta , janë Libri i Jobit, i cili përballon problemin e mprehtë të dhimbjes, që pëson njeriu i drejtë e i pafajshëm; Libri i Koheletit, me frymë thellësisht moderne, që vë në diskutim kuptimin e jetës e të vetë botës. E pastaj, “Kënga e Këngëve”, poema mahnitëse simbolike, kushtuar dashurisë njerëzore”.
Më pas Papa foli edhe për Besëlidhjen e Re, duke nënvizuar bukurinë e Ungjijve, të “Veprave të Apostujve”, ose të ndonjerës nga Letrat. I këshilloi, prandaj, të krishterët, ta kenë gjithnjë pranë Biblën, posaçërisht gjatë pushimeve verore ose në çastet e prehjes, për t’i rilexuar e për t’i shijuar përsëri librat e lexuar më parë, e, më pas, librat që i njohim më pak, duke u nisur nga Ungjijtë e duke vijuar shfletimin me faqet, që nuk i kemi hapur kurrë:
“Në se veprojmë kështu, çastet e prehjes mund të bëhen, përveçse pasurim kulturor, edhe ushqim i shpirtit, mund të na aftësojnë ta njohim më nga afër Zotin e të dialogojmë me Të, domethënë, të lutemi”.Pas katekizmit, duke folur në gjuhën angleze, Papa përshëndeti posaçërisht një grup besimtarësh, ardhur nga qyteti japonez Nagasaki, ku më 9 gushtin e ardhshëm do të përkujtohet 66-vjetori i bombardimit atomik nga ana e amerikanëve, gjatë Luftës II Botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.