2011-08-03 16:59:15

Ofensivë e re e ushtrisë kundër protestuesve në Hama. Tanket qëllojnë kundër shtëpive


Ofensivë e re e ushtrisë siriane në qytetin Hama, ku tanket kanë pushtuar qendrën, në ditën e katërt të sulmeve mbi popullsinë civile. Të gjitha linjat e komunikimit janë ndërprerë. Sipas dëshmitarëve nga vendi, cituar nga gazeta britanike “The Guardian”, tanket bombardojnë rëndë shtëpi e forcat e sigurisë gjuajnë me bomba brenda banesave. Ka ndeshje të ashpra me armë nëpër rrugë.
Qeveria e presidentit Bashar al-Asad i ka duart e lira për të vepruar sipas qejfit, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i dënon masakrat e saj vetëm me fjalë. Vërtet, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, akoma nuk është arritur marrëveshja për një rezolutë, që të përcaktojë ç’duhet bërë me Sirinë. Moska dhe Pekini janë kundër sanksioneve, pavarësisht se e pranojnë situatën e vështirë siriane, që po e çon vendin drejt luftës civile. Preteksti për sulmet e sotme në Hama ishin akuzat e zyrtarëve sirianë se të ashtuquajturit “grupe të armatosura terroristësh” kanë rrëmbyer dy policë e kanë sulmuar selitë e institucioneve publike të qytetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.