2011-08-03 16:59:46

Mubarak në proces: “Jam i pafajshëm”


Gjashtë muaj pas revoltës, që e hodhi poshtë nga kolltuku i presidentit, filloi sot në Kajro procesi kundër Hosni Mubarakut, ‘faraonit’, i cili për gati 31 vjet me radhë, udhëhoqi Egjiptin me dorë të hekurt. “Nuk pranoj asnjërën nga akuzat” deklaroi raisi me atë fije zëri, që i ka mbetur nga sëmundja, pasi e transportuan me barelë pas hekurave të kafazit të të akuzuarve në sallën e Akademisë së policisë, ku po zhvillohet procesi. Audienca e ardhshme do të bëhet më 15 gusht. Ish-presidenti 83-vjeçar akuzohet për vrasjen e paramenduar të manifestuesve gjatë revoltave kundër regjimit, për dhunën ndërmjet viteve 2000 e 2011, për korrupsion e vjedhje të fondeve publike. Rrezikon dënimin me vdekje.
Bashkë me të në bankën e të akuzuarve edhe dy bijtë, ish-ministri i brendshëm, gjashtë zyrtarë të lartë të policisë dhe një afarist, që gjykohet në mungesë. Jashtë sallës së gjyqit, përkrahës e kundërshtarë të Mubarakut gjuanin me gurë njëri-tjetrin, duke e detyruar policinë të ndërhynte disa herë. 61 vetë u plagosën e një person u arrestua. Por ç’ndryshime mund të sjellë në Egjipt, procesi kundër Mubarakut dhe bijve të tij? Pyetëm jezuitin Samir Khalil Samir, egjiptian, profesor në Universitetin e Shën Jozefit në Bejrut të Libanit dhe në Institutin Papnor Lindor në Romë:

Ky (proces) nuk do t’i ndryshojë gjërat, por është i rëndësishëm. Dikur i thosha vetes: mund edhe ta falim, tashmë është 83 vjeç… ka gabuar e mjaft me kaq. Por, mendoj se procesi është i dobishëm, me kusht që të mos kthehet në ndonjë lloj hakmarrjeje. Duhet të tregojmë ç’është e drejtë e ç’është e gabuar dhe pse kjo qeveri, që zgjati gati 31 vjet, është fajtore. Duhet të bëhet mësim për popullin e për qeverinë e ardhshme, që të mund të themi: të gjithë mund të dalin në gjyq. Ne kemi jetuar gjithnjë kështu, asnjë nga krerët nuk është gjykuar kurrë në botën arabe islamike. Akoma duhet të mësojmë si hyhet në një sistem demokratik për t’u bërë pjesë e botës moderne.
Është folur me shpresë të madhe për “pranverën arabe”, por ekziston edhe përshtypja se ajo po merr një kthesë me karakter islamik. Si mendoni ju, atë Samir?
Po, është e vërtetë, ky është realitet. Më parë, në të gjitha vendet arabe janë bërë përpjekje për ta ndaluar lëvizjen islamike, e cila kishte prirje ekstremiste. Tani që po fryn era e lirisë, këto lëvizje janë shfaqur sërish e, madje, edhe më me forcë, pikërisht sepse më parë ishin të shtypura. Ky ishte preteksti i qeverive diktatoriale, që i thoshin Perëndimit: e shihni, shtypja është e nevojshme për të mos lejuar islamikët të ngrenë krye. Në Egjipt kemi dy prirje të mëdha drejt Islamit: ajo e partisë së Vëllezërve Myslimanë, themeluar në Egjipt në vitin 1928 e, gjithnjë e fuqishme, si edhe ajo e lëvizjes së re të salafitëve, më e egër dhe më integraliste. Aktualisht, mendohet se ka rrezik që në zgjedhjet e ardhshme prirja islamike të fitojë një mazhorancë të vogël.
Cili është roli i ushtrisë në këtë situatë? Ndokush mendon se mund të lidhë aleanca me islamikët…
Ndonjë kompromis ekziston. Roli kryesor është të ruajë rendin. Në këtë çast, në Egjipt, veçanërisht në Kajro e nëpër qytete, nuk ka rregull: ka njerëz që vjedhin, të tjerë nuk zbatojnë më normat e mëparshme, trafiku është problem… Pra, pritet që ushtria të vendosë rendin. Aktualisht në vend, ekziston prirja drejt Islamit e edhe brenda ushtrisë, e cila më parë ishte neutrale.







All the contents on this site are copyrighted ©.