2011-08-02 15:54:42

Solemniteti i Faljes së Asizit


“Shpirti i Shenjtë i haptë zemrat e mendjet e secilit, që të takojë mëshirën e dashurinë e Zotit, siç pati kërkuar shën Françesku”. Më këtë lutje filloi sot paradite në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, kremtimi i Faljes së Asizit, me pjesëmarrjen e të gjithë ipeshkvijve të Umbrias në Itali.
Gjatë homelisë, ipeshkvi i Çità di Kastelo, imzot Domeniko Kançian përmendi shembullin e Zojës së Bekuar, prej së cilës u frymëzua edhe shën Françesku, duke u bërë si ajo, ndërmjetësues i mëshirës së Zotit për njerëzit. Ajo është mëshirë e përgjithshme, përtej mjerimit njerëzor, e aftë të na i përtërijë zemrat e t’i japë botës shpresë të sigurtë për të ardhmen. Edhe sot, në Porciunkola të Asizit, ritingëlloi urimi i shën Françeskut, që të gjithë shtegtarët t’i kthejnë sytë kah Zoti, të ndryshojnë jetë e të meritojnë Parrizin.
“Falja e Asizit”, që në një vegim të vitit 1216, shën Françesku i kërkoi Zotit për të gjithë shtegtarët që vizitojnë Porciunkolën, parashikon përveç vizitës(mund të bëhet edhe në një kishë françeskane), gjatë së cilës shtegtari duhet të lutet, edhe Rrëfimin, pjesëmarrjen në meshë e Kungimin e Shenjtë, për ta marrë Krishtin në zemër.







All the contents on this site are copyrighted ©.