2011-08-02 15:20:16

Shkodra i dha dom Ndre Mjedës titullin “qytetar nderi”


Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka akorduar titullin e lartë "Qytetar Nderi i Shkodrës" (pas vdekjes) për personalitetin e spikatur të letrave shqipe, poetin, prozatorin, gjuhëtarin, historianin, muzikologun, arkitektin dhe pionierin e arsimit kombëtar, dom Ndre Mjeda.
Titulli në fjalë iu dorëzua famullitarit të fshatit Kukël, dom Nikë Ukgjini, gjatë aktivitetit "Përkujtimi i Mjedës", organizuar dje në fshatin Kukël, të komunës Bushat të rrethit Shkodër, nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni "Ndre Mjeda".
Titulli "Qytetar nderi" u akordua me motivacionin: "Për kontributin e shquar në lëvrimin e studimit të gjuhës shqipe, si poet me vlera të veçanta të Rilindjes Kombëtare Shqiptare". "Synimi ynë nuk ka të ndalur dhe puna jonë do të përqendrohet në restaurimin e mëtejshëm të Kompleksit "Ndre Mjeda" deri në finalizimin e këtij projekti, gjetjen e eshtrave të poetit, i cili nuk ka një varr, shpalljen e kësaj qendre vend shtegtimi për tërë botën shqiptare, si dhe organizimin e takimeve vjetore në kujtim të Mjedës", shprehet dom Nikë Ukgjini.
Titulli "Qytetar Nderi i Shkodrës" u dorëzua në prani të Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, zv/ministres së Arsimit, Nora Malaj, drejtuesve vendorë, etj. Më hollësisht nga Shkodra na njofton Jolanda Baba.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.