2011-08-02 15:07:55

Prefekti i Kongregatës për Kultin Hyjnor: është mirë që Kungimi të merret në gjunjë.


Duke u kërkuar besimtarëve të gjunjëzohen për ta marrë Hosten e shuguruar gjatë liturgjive papnore, Papa i jep mbarë Kishës një shembull, që duhet ndjekur. Është i bindur për këtë prefekti i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Sakramentet, kardinali Antonio Kanizares. Hirësia e Tij, në një intervistë dhënë agjencisë katolike Aci Prensa, shpjegon se është mirë që besimtarët ta marrin Kungimin në gojë e të gjunjëzuar, sepse kjo të kujton menjëherë kuptimin e vetë Kungimit, që është adhurim, çast sublim, kur njeriu e merr Zotin në zemër!
Duhet të jemi të vetëdijshëm në këtë çast, se jemi përballë vetë Zotit, se Ai denjohet të vijë tek ne, që nuk e meritojmë.
Kardinali spanjoll, i njohur në vendlindje me emrin “Racingeri i vogël’ sepse përkon plotësisht me Papën, e edhe për një farë ngjashmërie fizike, vërejti se ta marrësh Kungimin Shenjt në gjunjë, do të thotë të rikthehesh tek tradita. Besoj se mbarë Kisha duhet ta marrë Hosten në gjunjë, ndonëse edhe tani, kur merret në këmbë, besimtari do të duhej të gjunjëzohej ose të bënte një përkulje të thellë, gjë që nuk bëhet.
Për prefektin e Kongregatës së Kultit Hyjnor e Sakramenteve, rreziku që vjen nga harresa e një këshille të tillë, çon në moskuptimin e rëndësisë së pakrahasueshme të çastit të takimit real me vetë Zotin, që është i pranishëm në Hosten Shenjte. Është, pra, takim me Zotin, me dashurinë e dashurive, siç këndohet në një këngë spanjolle. E përsa i përket ndonjë shpërdorimi liturgjik, që vërehet në sjelljet e disa kremtuesve, kardinali thekson se duhet korrigjuar, posaçërisht përmes formimit më të mirë të seminaristëve, të meshtarëve të katekistëve dhe të gjithë besimtarëve të krishterë. Ne, ipeshkvijtë – përfundoi Hirësia e Tij – kemi një përgjegjësi shumë të madhe në këtë fushë, sepse çdo gjë që bëjmë për ta kremtuar sa më mirë Eukaristinë, do t’u shërbejë besimtarëve të marrin pjesë me gjithë zemër në takimin me Zotin, duke u bërë vërtetë një me Të.







All the contents on this site are copyrighted ©.