2011-08-02 15:33:39

Papa: të krishterët e Perëndimit të rigjejnë entuziazmin e fesë


“Të lutemi që të krishterët e Perëndimit, të bindur para veprimit të Shpirtit Shenjt, të rigjejnë freskinë dhe entuziazmin e fesë”: ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës për muajin gusht. Një temë, kjo e ungjillëzimit të ri të botës perëndimore, veçanërisht e dashur për Benediktin XVI, i cili për të përballuar këtë sfidë të kohëve tona, themeloi një dikaster të ri në Vatikan. Po ju propozojmë disa reflektime të Papës mbi rëndësinë e ungjillëzimit të ri të Perëndimit.
Që nga koha kur ishte kardinal e më pas, kur u bë Papë, Jozef Racinger ka theksuar gjithnjë rrezikun që sjell errësimi i Zotit në shoqëritë me tradita të lashta të krishtera:
“Kriza që po kalojmë bart mbi vete përmasën e përjashtimit të Zotit nga jeta e njerëzve, atë të indiferencës së përgjithshme ndaj vetë fesë së krishterë, deri në përpjekjen për ta mënjanuar nga jeta publike” (Audienca me Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri, 30 maj 2011).
“A s’është e vërtetë – pohon Papa në audiencën me Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri, në maj të këtij viti – se Perëndimi, vendet kryesore të krishterimit janë të lodhur nga feja”, “nuk duan më as ta njohin fenë në Jezu Krishtin?” Edhe në një rast tjetër, nënvizon:
“Kemi arsye t’i bëjmë thirrje, në këtë orë, Zotit: ‘Mos lejo që të bëhemi një jo-popull! Bëj të të njohim sërish! Vërtet, na ke lyer me vajin e dashurisë tënde, ke dikuar mbi ne Shpirtin Shenjt. Bëj që forca e Shpirtit tënd të bëhet sërish e frytshme në ne, që me gëzim, të dëshmojmë mesazhin tënd!” (Mesha e Bagmit, 21 prill 2011).
Në Universitetin e Regensburgut, në Kolegjin e Bernardinëve në Paris e më pas, në Uestminster Holl të Londrës, Ati i Shenjtë u dha guxim Evropës e Perëndimit të mos e shpërdorojnë pasurinë e trashëgimisë së tyre të krishterë. Papa përsërit me forcë se, megjithëse kohët kanë ndryshuar rrënjësisht që nga agimi i krishterimit, misioni, që atëherë ishte i Apostujve, nuk ka ndryshuar:
“Misioni nuk ka ndryshuar, ashtu si nuk duhet të ndryshojnë entuziazmi dhe guximi, që i bëri të lëviznin Apostujt e dishepujt e parë. Shpirti i Shenjtë, që i nxiti të hapnin portat e çenakullit, duke i bërë ungjillëzues (shih Vap 2,1-4), është po Ai, që nxit sot Kishën të ripërtërijë lajmin e shpresës për njerëzit e kohës sonë” (Audienca e Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, 30 maj 2011).
Këtë thirrje, Papa e përsëriti edhe në udhëtimin e tij apostolik në Kroaci, në qershor. Shoqërisë së vendit, që po përgatitet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, i kujtoi se për të shpresuar në të ardhmen, Evropa nuk duhet ta mënjanojë fenë e ndërgjegjen morale, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën:
“Nëse ndërgjegjia, sipas mendimit modern mbizotërues, reduktohet në kuadrin e subjektivizmit, ku kanë përfunduar feja e morali, kriza e perëndimit nuk ka zgjidhje dhe Evropa është e destinuar të mos zhvillohet. Por, nëse ndërgjegjia rizbulohet si vend ku dëgjohet e vërteta dhe e mira, vend i përgjegjësisë para Zotit e vëllezërve në humanitet – që është forca kundër çdo diktature – atëherë ka shpresë për të ardhmen” (Fjalim para shoqërisë civile kroate, 5 qershor 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.