2011-08-02 15:35:30

Ministria e Jashtme: zgjidhja e problemeve Kosovë Serbi nëpërmjet procesit të dialogut


Në një njoftim për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës deklaron se “po ndjek me vëmendje zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Republikës së Kosovës dhe shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së një polici dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga dhuna e ushtruar.

Është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të “Strategjisë për Veriun” të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës.

Zgjidhja e problemeve të mbetura mes Kosovës dhe Serbisë duhet bërë nëpërmjet procesit të dialogut dhe, është thelbësore që konkluzionet e arritura mes tyre, me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci, thuhet në deklaratë për shtyp.
Në anën tjetër, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq u bëri thirrje sot banorëve serbë të veriut të Kosovës që t'i vazhdojnë tubimet në barrikada, me të cilat orvaten të vendosin kontrollin në pikëkalimet kufitare ndaj Serbisë. Në një barrikadë në Rudare, ku janë tubuar mbi 2000 serbë nga veriu i Kosovës, Bogdanoviq u ka bërë thirrje për vendosjen e qetësisë rendit dhe të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të Serbisë, duke vlerësuar se "ky është momenti i fundit që me dinjitet" të mbrojnë çështjen e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.