Me 2 gusht kalendari përkujton Shën Euzebin e Verçelit.
Shën Euzebi, që njihet me atributin “i Verçelit”, gjë që zakonisht tregon vendlindjen,
në të vërtetë lindi në Sardenjë nga fundi i shekullit III dhe fillimi i shekullit
IV. Emrin Euzeb e mori në Romë ku, si vendosi të kthehej në fenë e krishterë, u pagëzua
nga Papa Euzebi. Aty nga viti 345, pasi kishte kryer studimet kishtare, fitoi admirimin
e Papës Juli I, i cili e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Këtu vendosi të jetonte në kuvend,
së bashku me priftërinjtë e tij, duke e lidhur kështu ngushtë ungjillëzimin me stilin
e jetës murgare. Ishte shok i ngushtë me Liberin, që më pas do të bëhej papë.
I bashkonte dëshira për ta jetuar deri në fund të fundit Ungjillin. Gjatë veprimtarisë
së tij si ipeshkëv i Verçellit, vend që i dha atributin, hasi vështirësi të mëdha
aq, sa për qëndrimin e tij të palëkundur, u internua në Azi nga perandori arian Kostanci,
së bashku me ipeshkvin e Milanos, Dionizin. Atje u torturua, vuajti nga uria e nga
etja por, pati fatin të rikthehehej në selinë e vet ipeshkvnore, njëherësh me Dionizin.
Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi
u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve me oratorinë e jashtëzakonshme.
E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte
atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit,
ashtu edhe vdiq. Kur mbylli sytë në qytetin ku ishte ipeshkëv e ku ruhen edhe sot
reliket e tij, edhe viti 371 numëronte ditët e fundit. Sipas traditës, themeloi
dy shenjtërore shumë të njohura: atë të Oropës (Biela e sotme) dhe atë të Kreas (Aleksandria
e sotme). Shën Euzebi është pajtor i zonës piemonteze të Verçelit në Itali. Emri
i tij vjen nga greqishtja e do të thotë njeri i mëshirshëm, që jeton me frikën e Zotit,
ndërsa simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor dhe mitra.