2011-08-02 15:11:24

GMG e Madridit: e thjeshtë, transparente, solidare.


Të rinjtë e të gjithë kontinenteve janë mobilizuar për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Madrid, nga 16 deri më 21 gusht. Përveç dioqezave, do të marrin pjesë edhe bashkësitë e lëvizjet kryesore katolike. Na flet për këtë pjesëmarrje, Stella Cernoni, e bashkësisë së Shën Egjidit:

Përgjigje: - Në Madrid do të jemi shumë nga Bashkësia: një delegacion ndërkombëtar, i përbërë nga të rinj italianë, francezë, natyrisht spanjollë, belgë, por edhe një delegacion i bashkësive tona në Afrikë e në Amerikën Latine. Do të kemi një kishë, ku do të mund të mblidhemi për t’u lutur e për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament. E, pastaj, do të zhvillojmë dhe takime, në të cilat do të rrahim mendime për temat, që i interesojnë më shumë bashkësisë, si takimi me të varfërit, mënyra si duhet jetuar Ungjilli, miqësia me nevojtarët...

Pyetje: - Papa na fton t’i kemi rrënjët në Krishtin, të jemi të patundur në fe. Si mendoni se duhet të jetojë dëshmitari i Ungjillit?

Përgjigje: - Mendoj se ky mesazh është i rëndësishëm, sepse besoj që, në jetën e përditshme, nuk mungon tundimi për të jetuar një jetë paralele, një jetë, në të cilën nganjëherë njeriu harron se është i krishterë, harron se feja nuk është private, se nuk duhet jetuar fshehurazi. Feja duhet jetuar ditë për ditë, çast për çast e, sidomos, duhet dëshmuar. Po si të dëshmohet: me gëzim, simpati, bujari, solidaritet. Por këto virtyte mund t’i fitosh vetëm në se i ke rrënjët në Ungjill, në Kishë. Prandaj në bashkësinë tonë lutemi natë për natë që të rrënjosemi në Ungjillin e Krishtit.

Pyetje: - Kulturat e sotme përpiqen ta përjashtojnë Zotin e ta konsiderojnë fenë fakt privat, pa ndonjë vlerë shoqërore. Ç’mendoni për këtë?

Përgjigje: - Unë mendoj se është pikërisht e kundërta. Më duket se po ta jetonin të gjithë fenë më thellësisht e më seriozisht, bota do të ishte më e bukur e më njerëzore. Besoj se Bota, sa më shumë të largohet nga Zoti, aq më shumë bëhet çnjerëzore. E besoj edhe se feja jonë duhet të jetë diçka, që ka të bëjë me shoqëritë, në të cilat jetojmë e, në një farë mënyre, duhet të ndikojë mbi shoqëritë. Në të vërtetë, të jetosh me rrënjët në Ungjill, të ndihmon të jesh më pranë njeriut e të ndërtosh një shoqëri më të drejtë, edhe në këndvështrimin njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.