2011-08-02 15:35:13

Atentat kundër një kishe në Kirkuk të Irakut. Imzot Sako kërkon fundin e kësaj dhune


Sulm i ri kundër bashkësisë së krishterë irakiane: sot, një autobombë shpërtheu në afërsi të kishës siro-katolike të “Familjes së Shenjtë” në Kirkuk, duke shkaktuar rreth 20 të plagosur e dëme të mëdha materiale. Dy bomba të tjera u gjetën në kohë nga policia. Është hera e parë që kjo kishë, në veri të vendit, vihet në shënjestrën e terroristëve. Për një koment, të dëgjojmë kryeipeshkvin e Kirkukut, imzot Luis Sako:
Është një kishë siro-katolike, që ndodhet në një lagje shumë të varfër. Në orën 5.30 të mëngjesit shpërtheu një autobombë pranë murit të kishës, por largësia nga shtëpitë është shumë e vogël… Shumë shtëpi u shkatërruan e shumë makina u dogjën. Ka të plagosur… Shkova ta shoh kishën e të vizitoj të plagosurit në spital: janë të krishterë e myslimanë. Është mëkat të vrasësh njerëz të pafajshëm gjatë këtij muaji të Ramazanit, që për myslimanët është i shenjtë. Pse e bëjnë, nuk e dimë! Nëse kanë kërkesa, ka mënyra të tjera për t’i paraqitur e jo me bomba e me shpërthime. Shpresojmë që ky të jetë akti vërtet i fundit i dhunës!







All the contents on this site are copyrighted ©.