2011-08-01 17:02:23

Lajme të reja nga Dom Ndre Mjedja, në 74 vjetorin e kthimit në shtëpinë e Atit Qiellor.


Gjithnjë më shpesh e shikojmë emrin e dom Ndre Mjedjes në të përditshmet shqiptare. Kryesisht falë punës së kujdesur shumëvjeçare të studiuesit Mentor Quku, i cili na hap faqe të reja nga jeta e tij. Për ta përkujtuar Personalitetin e madh të Kishës e të kulturës shqiptare, sot në Kukël të Shkodrës, fshat ku dom Ndreu shërbeu për shumë vjet, u mbajt takimi me temë: “Përkujtimi i Ndre Mjedjes”. Programi i larmishëm nisi me një vizitë në mjediset, ku jetoi Prifti-Poet, për të vijuar me hapjen e ekspozitës fotografike, ku duken për herë të parë disa fotografi, deri më sot të panjohura. Një prej tyre e paraqet dom Ndreun në funeralin e të vëllait, imzot Lazër Mjedjes, arkivoli me trupin e të cilit u mbart me procesion përgjatë Fushës së Çelës, para se të varrosej. Pastaj një fotografi me atë Jak Gardinin, jezuit. Kujtojmë se dy rregulltarët patën një letërkëmbim të dendur, nga i cili në AQSH ruhen 20 letra e kartpostale (1933-1937). Shumë dëshmi të tjera, që e lidhin atë Gardinin me dom Mjedjen, humbën gjatë bastisjes e shkatërrimit të madh të vlerave, krijuar nga institucionet fetare, gjatë një pune shumëvjeçare.
Me sa duket ruhen edhe shënimet, që dom Ndreu përdorte për të dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Shkollën e famshme Saveriane të jezuitëve. Njoftimi, gjithnjë i Mentor Qukut, jepet në gazetën ‘Milosao’ të datës 24. 07. 2011, në një shkrim me titull “Ndre Mjeda. Zbulohet ‘Gramatika shqipe’ në dorëshkrim”. Sipas artikullshkruesit, Gramatika gjindet në Kanadanë e largët. Si e pse shkoi deri atje, nga Kolegja Saveriane e Shkodrës, këtë, ndoshta, mund ta mësojmë më vonë.
Gjithsesi, është kënaqësi të përkujtosh një Personalitet, si Ndre Mjedja, në 74 vjetorin e vdekjes, me lajme që flasin për jetën, për vepra të reja, të panjohura, të cilat rizbulohen, duke e bërë Autorin tejet të pranishëm në historinë e Kishës e të kulturës shqipe, për të cilën shkriu jetën deri në çastin kur mbylli sytë, më 1 gusht 1937, 74 vjet më parë. Një rastësi fatlume: sot, kur përkujtohet përvjetori i vdekjes së dom Ndre Mjedjes, Kisha katolike kremton festën liturgjike të shenjtit të tij më të dashur, Luigj Gonzagës, Pajtor i rinisë, jetën e të cilit shqiptarët munden ta njohin falë përkushtimit të përkthyesit të madh, që shtoi ndjeshëm numrin e veprave hagjiografike në gjuhën shqipe, tejet të rëndësishme për kulturën fetare të besimtarëve katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.