2011-08-01 17:02:54

Bukuria e Bavarisë, është qielli i hapur mbi ne: kështu Papa në koncertin dhënë për nder të Tij nga qyteti i Traunshtain.


Koncert për Papën, të shtunën e kaluar, në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos. Homazhin muzikor, me rastin e 60-vjetorit të meshtarisë së Atit të Shenjtë, e ofroi një delegacion i Traunshtain, qytet i Bavarisë jugore, ku Ati i Shenjtë kremtoi meshën e tij të parë, më 8 korrik 1951. Benediktit XVI iu dorëzua edhe ‘Unaza e nderit’ e zonës së Traunshtainit, nderim i posaçëm ky, themeluar më 1969 për personalitete që kanë kontribuar në dobi të bashkësisë vendase. Në përfundim Papa i falënderoi të pranishmit, rreth 250 vetë, ardhur nga qyteti i vogël, aq i dashur, ku Jozef Racinger kaloi fëmijërinë e adoleshencën. Disa grupe folklorike interpretuan kapela muzikore dhe këngë tradicionale. Pastaj, vallet e mrekullueshme të Bavarisë dhe dorëzimi i ‘Unazës së nderit”.
“Mit Euch ist die bayrische Heimat hier bei mir gegenwärtig …
Përmes jush - tha Benedikti XVI – bëhet i pranishëm këtu, Atdheu im bavarez. Ndjej një gëzim të veçantë, sepse kjo unazë më dorëzohet njëzëri nga të gjithë, pa marrë parasysh asnjë përkatësi, asnjë ndryshim. Për mua është shenjë, që tregon se ndërmjet jush, jam në shtëpi time. E jam i lumtur, sepse më bëtë ta rijetoj bukurinë dhe gjallërinë e kulturës bavareze. Toka jonë – shtoi - është tokë e bekuar; e është kështu, falë Krijuesit, që e stolisi me male, liqene, lugina, pyje; por është e bekuar edhe sepse shumë njerëz në këtë vend, duke soditur bukurinë e krijimit, besuan në Krijuesin!
Muzikantët Papa i falënderoi në mënyrë të posaçme, sepse me muzikën e tyre qenë të aftë të tregonin Parajsën”.
“Ohne die Musik, die da ist, ohne die Poesie, ohne die Gemütlichkeit ...
Bavaria nuk do të ishte Bavari – nënvizoi Papa – pa muzikën, pa poezinë, pa përzemërsinë e harenë, që sapo i provuam e që rriten vetëm në se qielli mbi ne është i hapur. Bavaria u bë ajo që është, duke u nisur nga kjo siguri, e ne të gjithë lutemi e shpresojmë të jetë gjithnjë e tillë.
Më pas, ftesa për besnikëri ndaj këtij gëzimi, edhe kur njeriut i duhet të ecë në luginat e errëta të hijes së vdekjes, me sigurinë se Hyji na do e na shpëton kudo e kudoherë, e me dëshriën për ta ndërtuar ardhmërinë, duke mbetur besnikë të Krishtit. Bota, jeta, feja – tha Papa – të gjitha së bashku kanë kuptimin e tolerancës, kërkojnë t’ia hapim zemrat njëri-tjetrit, të vëllazërohemi me të gjithë, sepse të gjithë njerëzit janë bij të të njëjtit Atë”.
“Dies ist also meine Bitte: Bleiben wir vom Glauben angerührt …
Kjo është lutja ime - përfundoi Ati i Shenjtë – ta lëmë fenë të lulëzojë, të na prijë, që kështu shkëlqimi i qiellit të arrijë deri në zemrat tona e ta ndriçojë botën në mjerimet e saj, duke e bërë të bukur e rrezëlluese".







All the contents on this site are copyrighted ©.