Benedikti XVI: Shën Alfons Maria de’ Liguori, na thërret ta shikojmë jetën me optimizëm.
Katekizmin e audiencës së përgjithshme të 30 marsit të 2011, mbajtur në Sheshin e
Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI ia kushtoi një figure shumë popullore: Shën Alfons
Maria de’ Liguorit, dëshmitarit të ndritshëm të dashurisë së krishterë. Shenjti, themelues
i Redentoristëve, që jetoi në Napoli, në shekullin XVIII, na kujton se jeta duhet
parë me sy optimistë, duke besuar në burimet e së mirës, që Zoti nuk ia kursen asnjë
njeriu. Më pas vuri theksin tek rëndësia e mësimit të doktrinës morale e cila, sipas
Shën Alfonsit de’ Liguori, duhet shoqëruar gjithnjë me mëshirë e mirëkuptim. “Kush
lutet, shëlbohet”: Benedikti XVI kujtoi moton e Shën Alfons Maria de’ Liguorit,
Shenjt i dashurisë së krishterë dhe dijetar i Kishës. Ndonëse ishte avokati më i shkëlqyer
i Napolit të kohës së vet e bir i një prej familjeve më të kamura, vijoi të kujtonte
Papa, e kuptoi se Zoti po e thërriste për një detyrë të re: detyrën e meshtarit ndërmjet
të varfërve. Duke iu përgjigjur zërit të Zotit, ai u largua përgjithnjë nga gjykata
dhe u bë avokat i mëshirës dhe i dashurisë hyjnore në gjirin e shoqërisë napolitane
të fillimit të ‘700-ës. E, për ta vijuar, edhe pas tij, ugjillëzimin ndërmjet njerëzve
më të përvuajtur të kësaj shoqërie, themeloi Redentoristët: “Alfonsi arriti
rezultate shumë të mira: në lagjet më të mjera të qytetit shumëfishoheshin grupet
e njerëzve, që mblidheshin mbrëmjeve në shtëpi private e në dyqane, për t’u lutur
e për të medituar Fjalën e Zotit, kryesuar nga disa katekistë të formuar nga don Alfonsi
dhe nga meshtarë të tjerë, që i vizitonin rregullisht grupet e besimtarëve”. Këto
takime, vijoi Papa, që nisën të njiheshin me emrin “kapelat serotine”, u bënë burim
i edukimit moral, duke i shëruar plagët shoqërore deri në atë masë, sa falë impenjimit
të Shenjtit, në Napoli, krimet pothuajse u zhdukën fare: “Kapelat serontine
janë model veprimtarie misionare, burim frymëzimi edhe për ungjillëzimin e ri të kohëve
tona, posaçërisht ndërmjet njerëzve më të varfër, si dhe për edukimin me frymën e
bashkëjetesës më të drejtë, më vëllazërore e më solidare”. Shën Alfonsi nuk
u kufizua vetëm me veprimtarinë në rrugët e në skutat më të errëta të qytetit. Nisi
të njihej nga afër edhe me fshatarët, duke shkelur në zonat më të braktisura të Mbretërisë
së Napolit e duke iu kushtuar i tëri këtyre njerëzve, të varfër materialisht e shpirtërisht.
Për vijimin e kësaj veprimtarie, themeloi Kongregatën e meshtarëve redentoristë që,
shpjegoi Papa, u bënë meshtarë endacakë. Endeshin shtëpi më shtëpi e fshat më fshat,
duke u bërë njerëzve thirrje për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të jetuar si të
krishterë, posaçërisht përmes lutjes. Përveç kësaj, Shenjti iu kundërvu vizionit të
zhansenistëve, sipas të cilëve Zoti është gjykatës i rreptë, që nuk të fal. Papa vuri
theksin mbi mësimin e pasur të teologjisë morale, që i la trashëgim Kishës Shenjti
i mëshirës e i ëmbëlsisë: “Barinjtë e shpirtrave dhe rrëfyesit, Alfonsi i këshillonte
të ishin besnikë ndaj doktrinës morale katolike, por pa harruar t’i trajtonin pendestarët
me dashuri, mirëkuptim, ëmbëlsi, në mënyrë që ata ta ndjenin se kishin pranë bariun,
që do t’i shoqëronte, do t’i mbështeste, do t’i inkurajonte në rrugën e fesë e të
jetës së krishterë”. Shën Alfonsi – vijoi Ati i Shenjtë – nuk lodhej kurrë
duke përsëritur se meshtarët janë shenjë e dukshme e mëshirës së pakufishme të Zotit,
që fal, që e ndriçon mendjen e zemrën e mëkatarit, duke i krijuar mundësinë të bëjë
kthesë e të nisë udhën e një jete të re: “Në epokën tonë, në të cilën shikojmë
shenja të qarta të humbjes së vetëdijes morale e, duhet pranuar, edhe të mungesës
së vlerësimit për Sakramentin e Rrëfimit, mësimi i Shën Liguorit mbetet thellësisht
aktual”. Më pas Papa nënvizoi se Shenjti napolitan pati gjithnjë në qendër
të vëmendjes lutjen, adhurimin eukaristik dhe devocionin për Zojën e Bekuar. E nuk
duhet harruar edhe se është autor i fjalëve dhe i muzikës së himnit të Krishtlindjes
“Ti ulesh prej Parrizit”. Theksoi, në përfundim, se Shenjti redentorist mbetet shembull
edhe për besimtarët e kohëve tona: “Shën Alfons Maria de’ Liguori është shembull
i bariut të zellshëm. Fitoi shumë shpirtra, duke predikuar Ungjillin e duke mbarështuar
Sakramentet, përplot me mirësi, butësi, ëmbëlsi, që buronte nga lidhja e tij e thellë
me Zotin, Mirësinë e pambaruar. E pa realitetin me sy optimist, i bindur se burimet
e mirësisë, që Zoti i dhuron çdo njeriu, nuk shterojnë kurrë e duke e dashur Zotin
me gjithë mend e me gjithë zemër”.