2011-07-31 10:04:44

Shifra e kuriozitete për Ditën Botërore të Rinisë 2011


Në Madrid priten rreth një milion të rinj e vullnetarët, së bashku me personelin e me autoritetet e vendit, po përfundojnë përgatitjet e fundit. Shtabi i përgjithshëm, pikë referimi për Ditën Botërore të Rinisë 2011, do të jetë famullia e San Juan de la Cruz (shën Gjoni i Kryqit). Vizitorët do të vërejnë pa dyshim stemën e madhe tringjyrëshe (kuq, verdhë e portokalli), e cila është e pranishme edhe në çdo zyrë ku bashkëpunojnë të rinjtë vullnetarë me financierë, specialistë të komunikimit, informaticienë e teknikë të çdo lloji. Jashtë qytetit, në një ndërtesë shumë të madhe xhami, punojnë të rinj të tjerë, të cilët merren me organizimin e 295 ngjarjeve kulturore, që do të shoqërojnë javën rinore të Madridit, nga koncertet te filmat, nga teatri te ekspozitat.
Drejtori ekzekutiv i Ditës Botërore të Rinisë, Jago de la Sierva sqaron se nuk mungojnë problemet, si për shembull, 7 tonelatat me rruzare, ardhur nga Ekuadori e bllokuar nga dogana spanjolle, ose problemi se ku do të hidhet lëkura e 11.000 kg banane, që do t’u shpërndahen të rinjve. “Po punojmë 25 orë në ditë”, qesh de la Sierva.
Stafi përreth tij merret me strehimin e të rinjve, të cilët do të shpërndahen në 5 mijë ambiente të ndryshme: shkolla, famulli, ose familje të Madridit. Parashikohet mbërritja e 4.500 gazetarëve, për të cilët po kujdeset seksioni i komunikimit, ndërsa ai i katekizmit përgatit informacionet, që do t’u propozohen të rinjve në 250 pika të kryeqytetit spanjoll.
Një skuadër tjetër merret me “çantën e shpinës së shtegtarit”, në të cilën çdo pjesëmarrës do të gjejë “lejekalimin”, guida të shumta praktike, librecin liturgjik “Magnificat”, botuar enkas për këtë rast, dhe katekizmin për të rinjtë “Youcat”. E çdo çantë, kësaj radhe, ka një kuti me ilaçe, në të cilën është vendosur edhe një kryq “për të shëruar shpirtin” dhe një shishe birrë pa alkool.
Përveç programit zyrtar të pjesëmarrjes së Papës në Ditët e Madridit, ekziston edhe një program, të themi “folklorik”. Më 18 gusht, Benedikti XVI do të pritet nga çifti mbretëror spanjoll e rreth 50 fëmijë të veshur si rojet zvicerane të Vatikanit. Në mbrëmje, Papa do të takojë të rinjtë në rrugët e qendrës së qytetit, ku do të kalojë së bashku me rreth 50 të rinj nga të pesë kontinentet, Portën e madhe të Alkalasë. Hyrja e tij simbolike në Madrid do të përshëndetet nga një patrullë ajrore, që do të lërë në qiell, gjurmë me ngjyrat e Spanjës e të Vatikanit. Më pas, Benedikti XVI do të shohë një shfaqje koreografike me 6 kuaj e kavalierë andaluzë me kostum popullor.
Ditën e nesërme, Ati i Shenjtë do të takohet me sovranin e Spanjës dhe bashkëshorten e tij në Pallatin e Zarzuelës, rezidenca aktuale e mbretit. Do të largohet rreth 50 km nga Madridi për të shkuar në kuvendin mbretëror të Eskorialit, panteoni i mbretërve të Spanjës. Papa i parë që shkel në Eskorial, Benedikti XVI do të takojë këtu rreth 2000 të rinj rregulltarë spanjollë dhe më pas, rreth njëmijë profesorë të rinj universitarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.