2011-07-31 10:07:00

Shenjtorët e Javës


Sot e diel 31 korrik, Kisha kremton të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, e po më 31 korrik kalendari përkujton shën Injacin e Lolojës, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve. O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”: kështu shkruante mes tjerash shën Injaci i Lojolës. Vëne në gojën time, o Zot, fjalën e vërtetë. Të uritur për dëgjim, njerëzit e ndjekin Jezusin kudo që ai shkon. Edhe me pesë bukë e dy peshqi, Jezusi arrijnë të kënaq çfarëdo nevoje materiale e shpirtërore – pohon Ungjilli i kësaj dite marrë nga Shën Mateut (Mt 4.13-21);
Të hënën më 1 gusht kalendari përkujton shën Alfonsin Maria de Liguori, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Kongregatës së Shëlbuesit dhe shtatë vëllezërit Makabej. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.
Të martën më 2 gusht bie përkujtimi i shën Euzebit, ipeshkëv i Verçelit, shën Pjeter Gjuliani Eimard, meshtar, themelues i Sakramentinëve e shën Shtjefni papë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar.
Të mërkurën e ardhshme më 3 gusht kalendari kishtar do të përkujtojë shën Lidia, nxënëse e shën Palit. Na nxit të meditojmë se koha e jeta na rrëshqasin nëpër duar pa u kujtuar. Si të krishterë që jemi, duhet ta njohim planin misterioz të Zotit. Nuk duhet të ndalemi në sipërfaqe të gjërave por duhet ta pranojmë thirrjen e tij përmes fakteve e njerëzve që takojmë në rrugët e jetës.
Të enjten më 4 gusht bie përkujtimi i shenjtërve Gjon Maria Vianei, famullitar i Arsit, pajtor i klerit dhe Justini e Kreshenci, martirë. Me liturgjinë e festës së tyre kisha na kujtojnë se ata që kanë në dorë frenat e botës, mund t’i mbysin profetët, por nuk mund ta bëjnë të heshtë zërin e Zotit. E zëri i Zotit lartohet kundër padrejtësive, shtypjes, dhunës përmes zërit të të krishterëve. Ta ngrejmë, pra zërin në mbrojtje të drejtësisë, edhe në se do të na duhet ta paguajmë me jetën tonë.
Të premten më 5 gusht kalendari përkujton përvjetorin e Kushtimit të bazilikës romake të shën Marisë së Madhe, një nga Kishat më të vjetra kushtuar Virgjërës Mari. Liturgjia e kësaj feste na fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit. Ta shikojmë gjithnjë atë, duke u munduar t’i përngjajmë në ndjekjen besnike të vullnetit të Zotit.
Të shtunën që vjen më 6 gusht, Kisha kremton festën e Shndërrimit të Zotërisë Jezu Krisht. Petkat e tija u bënë të bardha porsi bora (Dn 7,9-10.13-14). Në fytyrën e tij shkëlqen lavdia e Atit: Ps 96. Këtë zë, ne e kemi dëgjuar derisa zbriste nga qielli (2Pt 1,16-19). Ky është Biri im – djali i Dishirit (Mk 9,2-10).Ngjarja kulmore e jetës publike të Jezusit është Shndërrimi, sikur se pagëzimi ishte fillimi i jetës së tij publike e të Ngjiturit në qiell, fundi. Për besimtarët, kjo ngjarje e Shndërrimit të Jezusit është parashijimi e avancimi i Pashkëve dhe i lavdisë së jetës së amshuar.
Të dielën e ardhshme më 7 gusht, Kisha do të kremtojë të dielën e 19-të gjatë vitit, e po më 7 gusht sipas kalendarit përkujtohet edhe shën Siksti II-të e shokët martirë; shën Gaetani e Anania.
Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.







All the contents on this site are copyrighted ©.