2011-07-31 10:11:33

Me 31 korrik kalendari përkujton Shën Injacin e Lojolës, themeluesin e Jezuitëve.


Sot pra me 31 korrik Kisha katolike përkujton një nga Shenjtorët më të mëdhenj të saj, Shën Injacin nga Lojola, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve.
Injaci lindi në Vendet Baske e pikërisht në Azpeitia në vitin 1491. Në moshën 14 vjeçare zgjodhi karrierën ushtarake. Pas një lufte të rreptë shpirtërore, natën ndërmjet 24 e 25 marsit 1522, vendosi t’i kushtohej plotësisht Zotit, duke braktisur të gjitha rrugët tjera që kishte provuar në moshën e ëndrrave.
Kështu 33 vjeçar kthehet në bankat e shkollës në Barcelonë dhe nis të studionte si të ishte fëmijë, derisa fitoi doktoratën në arte, në Paris, ku u njoh edhe me shokët e parë. Më 15 gusht 1534 në Montmatre në Paris lindi Shoqëria e Jezusit, e miratuar vetëm pas gjashtë vjetësh nga Kisha. Është e Shën Injacit ideja për ndërtimin e kolegjeve, nga të cilat nisën jetën një numër i madh universitetesh të mirënjohura në Evropë e në Botë. Vdiq në Romë më 31 korrik 1556.
Për Shën Injacin çdo fjalë e Ungjillit ishte si profeci për t'u përmbushur në çdo kohë. Kështu Injaci i drejton kohës së tij pyetjen e Krishtit: "E ju, kush thoni se jam unë?” - duke e ditur se kjo pyetje bëhet përherë në mënyrë të posaçme, për çdo shekull e për çdo person. Çdo njeri, në çdo kohë, në një mënyrë më pak a më shumë të qartë, gjindet përballë kësaj pyetjeje themelore.
Nuk mjafton të përsëritësh përgjigjet e përpunuara nga teologët ose nga autorët e mëdhenj të përshpirtërisë, ndonëse janë këto që na i mëson katekizmi.
Shumë nga bashkëkohësit tonë nuk preken më nga pyetja e Jezusit, sikur kjo pyetje të ishte një - ndërmjet shumë të tjerave, që janë bërë nga shenjtërit dhe të urtët e feve të tjera. Injaci nuk don tjetër, veçse t'i ndihmojë njerëzit - siç shprehet ai vetë, - për t'i dhënë një përgjigje të veçantë pyetjes së Jezusit: "E ti, ç'thua për mua?".
Një përgjigje të re e personale, në cilën çdo njeri vë në lojë jetën e vet. S'ka pikë rëndësie në se ky njeri gjen fjalë të reja për ta shprehur besimin e tij në Jezusin, apo përsërit fjalët e traditës, për t'i bërë vërtetë të vetat: fjala është për një përgjigje të dhënë me gjithë zemër, duke qenë i gatshëm të vesh në shërbim të saj gjithë jetën.
Injaci është i bindur se duke iu përgjigjur kështu pyetjes së Jezusit, njeriu fiton një zemër të madhe, sepse Zoti, gjithnjë më i madh, e ndihmon edhe njeriun të bëhet i madh
Atë Dedë Pazi, Misionar, Atë Gjon Fausti e Atë Daniel Dajani, kandidatë për nderimet e elterit, Atë Pjetër Meshkalla, atë Jak Gardini, Atë Anton Luli, Atë Gjergj Vata.... sa e sa të tjerë, emrat e të cilëve u skalitën në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e popullit shqiptar, janë disa nga anëtarët shqiptarë e msionarë të asaj Shoqërie, që pati si kryetar të parë Shën Injacin.
E ishin pikërish këta jezuitë e sivëllezërit e tyre, emrat e të cilëve do të formonin një listë tepër të gjatë, po t’i kujtonim, ata që i dhanë popullit shqiptar Misionin Shëtitës, i cili pajtoi aq shumë gjaqe shkrepave e rrugëve të qyteteve; Kolegjin e famshëm Saverian, që përgatiti nxënës për të gjitha shkollat e botës; revistën e parë në gjuhën shqipe “Elçinë e Zemrës së Krishtit”; teatrin e parë, muzeun e parë; revistën ‘LEKA’; një ndër bandat e para muzikore e shumë e shumë pasuri të tjera, të rrafshuara nga komunizmi, që po rindërtohen me mund e me djersë nga jezuitë të rinj, misionarë e shqiptarë, ndër të cilët jezuiti më i ri, i pari pas diktaturës, Atë Zef Bisha, përmbi gërmadhat e vjetra, që rrezatojnë lavdinë e martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.