2011-07-31 10:04:01

Kryeqyteti spanjoll, me përgatitjet e fundit për të pritur Benediktin XVI dhe gati një milion të rinj nga e gjithë bota


Gjithçka është pothuaj gati për Ditën Botërore të Rinisë në Madrid, e cila do të kremtohet në kryeqytetin spanjoll, nga data 16 deri më 21 gusht. Papa Benedikti XVI do të shkojë në datën 18 për të festuar së bashku me të rinjtë, për të cilët u ka kërkuar besimtarëve të luten gjatë gjithë muajit gusht. Vërtet, ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Benediktit XVI për muajin, që fillon nesër, është “të lutemi, që Dita Botërore e Rinisë t’i nxisë të gjithë të rinjtë e botës ta rrënjosin dhe ta bazojnë jetën e tyre në Krishtin”. Ndjeti përmend kështu temën e këtij viti: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”.
Në një intervistë për Radio Vatikanin, para se të nisej për në Ditën Botërore të Rinisë në Këln të Gjermanisë, në vitin 2005, Benedikti XVI pati thënë diçka, që vlen edhe sot, si synim për këtë festë rinore të Madridit:
“Dua që (të rinjtë) ta kuptojnë se është bukur të jesh i krishterë! Ekziston ideja e përgjithshme se të krishterët duhet të respektojnë një mori me urdhërime, ndalime, parime e gjëra të ngjashme me këto, pra, se krishterimi është diçka e lodhshme dhe e vështirë për t’u jetuar e se njeriu është më i lirë pa gjithë këto pesha mbi supe. Por unë dua të sqaroj mirë se të mbështetesh mbi një Dashuri kaq të madhe e mbi zbulesën e saj, nuk do të thotë të marrësh mbi vete një barrë të rëndë, por të fitosh flatra për të fluturuar dhe se është bukur të jesh i krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.