2011-07-31 10:02:10

Atë Lombardi: Dita Botërore e Rinisë në Madrid do ti flasë brezit të kontinentit digjital


Dita Botërore e Rinisë në Madrid, ku do të jetë i pranishëm edhe Papa Benedikti XVI afrohet me shpejtësi. Por cilët janë të rinjtë që do të marrin pjesë në të? Në komentin e tij javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi i jep përgjigje kësaj pyetjeje:
“Kardinali Rouko Varela, i cili është ekspert i Ditëve Botërore të Rinisë, pasi ka organizuar një në Santiago të Kompostelës mëse 20 vjet më parë dhe tani, këtë të fundit në dioqezën e Madridit, flet për tri breza të rinjsh të Ditëve Botërore të Rinisë.
I pari, brezi i ’68-ës, përshkuar nga aspiratat revolucionare e të lirisë pa fre, me gjithë kontradiktat e tyre. I dyti, ai i ’89-ës, pas rënies së Murit të Berlinit – rini e horizonteve të mëdha, hapur para saj nga Gjon Pali II, rini më e vëmendshme ndaj përmasës shpirtërore. I treti, ai i dymijëshit, “brezi i internetit dhe i rrjeteve shoqërore”, të rinjtë e kontinentit dixhital.
Natyrisht, ky është thjeshtësim, por është e vërtetë se gjendja në botë ndryshon me shpejtësi dhe të rinjtë janë të parët, që i ndjejnë e i pasqyrojnë këto ndryshime në jetën e tyre konkrete, në mendësi e në sjellje.
Të shkojmë pra në Madrid, bashkë me Papën, të vetëdijshëm se do të përballojmë një sfidë tjetër të madhe: t’i shpallim Krishtin pikërisht këtij brezi e t’i kërkojmë të bëhet ai vetë protagonist i përhapjes së Lajmit të Mirë të Ungjillit në hapësirat e reja të jetës. Në kontinentet gjeografike, por edhe në ato virtuale. Sfida është kaq impenjative, sa të fut frikën, por – siç thotë tema e Ditës Botërore të Rinisë – nëse i kemi “rrënjët e bazën në Krishtin”, pra nëse jemi “të fortë në fe”, mund të shkojmë përpara me besim. Sepse duke filluar nga ajo rrënjë, që është Krishti, shumë breza të rinjsh ditën të ndërtojnë e të përshkojnë me shpresë e gëzim të ardhmen e tyre. Pse jo ky brez?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.