2011-07-31 10:40:23

63 vjet më parë diktatura komuniste vrau dom Aleksandër Sirdanin e dom Pjetër Çunin


Po përkujtojmë sot më 31 korrik përvjetorin e vrasjes së dy martirëve, dom Aleksandër Sirdanit (1892-1948) e dom Pjetër Çunit (1914-1948). Xhelatët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, pikërisht 63 vjet më parë i mbytën të dy Martirët për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve.
Dom Aleksandër Sirdani e dom Dedë Çuni qenë dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës, sidomos dom Sirdani, një nga firmat më të njohura, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, sidomos në revistën famëmadhe të jezuitëve ‘LEKA’. Prandaj, duhet kujtuar atë çka ndodhi në të kaluarën, nga e cila duhet mësuar shumë, në mënyrë pozitive, në se nuk duam të mos përsëritet e keqja, dhuna, përndjekja, padrejtësitë e diktatura, në se nuk duam që njerëz të tjerë, të pafajshëm, të përfundojnë në gropat e ujërave të zeza, si dy Martirët që përkujtojmë sot, që sigurisht nuk kanë rënë në harresë, e as do të bien, sepse janë shkruar tashmë në listën e martirëve të Kishës Katolike Shqiptare e asaj Universale, që pritet t’i ngjitë në nderimin më të lartë, atë të elterit e janë në zemrën e mendjen e njerëzve që nuk e harrojnë kontributin dhe gjakun e atyre që e dhuruan për liri e për vlera shpirtërore e demokratike .
Dom Lekë Sirdani
I lindur në Bogë në vitin 1891. I bëri studimet e para në Seminarin shqiptar, e teologjinë në Insbruk në Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916 Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të Kryeipeshkvisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm e i devotshëm.
Qe torturuar në mënyrë barbare e të pashpirtshme, panjerëzishme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, disa tjetër pohojnë më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin. Martirizimi i tij është i dukshëm. I torturuar, i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.

DOM PJETËR ÇUNI
Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914.
Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).
U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel).
U arrestua pa motive në Rrjol më 27 korrik 1948.
Egërsisht i torturuar, qe futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948, dita kur të atit iu dha lajmi i vdekjes, të tjetër pohojnë se vdekja ndodhi më 31 korrik 1948.
Qe një meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës.
Është një martir i vërtetë, bashkë me Dom Aleksandër Sirdanin.

Fr Vinçenc Focà ofm
Zëvendës Postulator







All the contents on this site are copyrighted ©.