2011-07-29 16:25:25

Papa na fton të lutemi në gusht për DBR-së të Madridit, ku sot mbërrini simboli Kryqit


Prej ditës së sotme Madridi pret simbolin e takimit botëror të rinisë. “Druri i Kryqit” që Papa Wojtila ia besoi të rinjve më 1984, së bashku me ikonën e Virgjërës Mari, së pari do të përshkoi famulli kishtare të ndryshme për të arritur në Cuatro Vientos për Ditët kulmore të Rinisë."Të lutemi që Dita Botërore e Rinisë, e cila do të kremtohet në Madrid, t’i inkurajojë gjithë të rinjtë e botës ta rrënjosin e ta themelojnë jetën e tyre në Krishtin” – ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Benediktit XVI për muajin gusht. Papa i fton besimtarët të luten për të rinjtë, që do të marrin pjesë në DBR-së. Për këtë ndjet të Atit të Shenjtë flet në mikrofonin tonë, don Nikolò Anselmi, drejtor i Shërbimit për baritorinë rinore, pranë Konferencës ipeshkvnore italiane:

Përgjigje: - Sipas dëshirës së Gjon Palit II, e pastaj edhe të Benediktit XVI, DBR-së, janë, mbi të gjitha, shtegtim misionar: prandaj Papa i quan misionarë të rinjtë, që do ta shoqërojnë në shtegtimin e tij apostolik drejt Spanjës. Në mesazhin drejtuar të rinjve, Papa i fton ta shikojnë Krishtin si themel e rrënjë të jetës së tyre. Më duket se – duke folur edhe me të rinjtë, që e lexuan, e medituan e u lutën me animatorët e drejtuesit e baritorisë rinore – një nga fragmentet më të bukura, që flet për rrënjosjen në Krishtin, thekson dëshirën për ta pasur gjithnjë Zotin pranë, në çdo çast të jetës. E kjo nuk është vetëm dëshirë e të rinjve, por edhe e vetë Zotit. Është Ai, që dëshiron i pari ta rrënjosë vetveten në zemrat e tyre.

Pyetje: - Në mesazhin e DBR-së, Papa, duke iu drejtuar të rinjve, pohon: “Kisha i var shpresat tek ju”: A e ndjejnë të rinjtë këtë përgjegjësi kaq të madhe ndaj Kishës?

Përgjigje: - Mendoj se po. Në të vërtetë shprehja “Kisha i var shpresat tek ju”, është ftesë drejtuar të rinjve, që të mos jenë vetëm subjekt i veprimtarisë baritore, por, kryesisht, protagonistë. E kështu edhe është, sepse në shoqatat tona, në oratore, në grupet rinore, në katekizëm, në animacionin liturgjik, të rinjtë impenjohen shumë, janë një pjesë e mirë e jetës së Kishës. Dua të theksoj se Kisha nuk mbyllet vetëm brenda mureve të famullive, të dioqezeve e të shoqatave, por del vazhdimisht në ‘fushë të mejdanit’, në botë. Të rinjtë po marrin gjithnjë më shumë pjesë në jetën shoqërore–politike. Edhe Ati i Shenjtë, së bashku me ipeshkvijtë tanë, kanë theksuar disa herë se duhet krijuar një brezni e re politikanësh katolikë, të rinjsh, që marrin pjesë gjallërisht në jetën shoqërore. Besoj se si mesharët, ashtu edhe besimtarët, mund të bëjnë më shumë për t’u lënë më tepër hapësirë të rinjve në bashkësitë tona të krishtera, duke nisur nga dëgjimi gjithnjë më i vëmendshëm i kërkesave të tyre, duke e marrë vesh më mirë gjuhën e tyre, mënyrën si e kuptojnë Ungjillin e si e vënë në jetë. E unë i ftoj të rinjtë të hyjnë si fllad i freskët në të gjitha mjediset e Kishës e të shoqërisë, duke i rinuar, me rininë e tyre.

Pyetje: - Këlni, Sidnei, Madridi… Edhe për Benediktin XVI, si për paraardhësin e tij, që e shpiku, Dita Botërore e Rinisë bëhet çast i fortë feje, përmasë, që lë gjurmë në të gjithë papninë…

Përgjigje: - Edhe unë isha i pranishëm në Këln e mora pjesë në emocionin e Atit të Shenjtë, të sapo zgjedhur, që shikonte para vetes një oqean prej një milion të rinjsh. Pas këtij emocioni të parë, më duket se Papa ka krijuar lidhje të fuqishme me të rinjtë. Në të gjitha shtegtimet e tij apostolike, parashikon gjithnjë takime me ta dhe di t’u drejtojë përherë fjalë të thjeshta e të thella, siç është gjithë stili i tij; fjalë, përmes të cilave i inkurajon ta pranojnë Jezusin e të jenë protagonistë të jetës së tyre. Të rinjtë e ndjekin pas me dëshirë Benediktin XVI, ashtu si ndiqnin Gjon Palin II, pas të cilit përshkuan, vite me radhë, shtigjet e mbarë Planetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.