Ipeshkvijtë zviceranë: “Kisha nuk mban anën e ndokujt në politikë, por merr pjesë
në politikë”
“Kisha nuk mban anën e ndokujt në politikë, por merr pjesë në politikë”, duke u rreshtuar
përkrah “atyre që s’kanë zë” e duke mbrojtur dinjitetin e jetës së çdo njeriu, që
nga zënia - edhe kur njeriu është i gjymtuar, i sëmurë, i moshuar, ose i huaj. Ky
është mesazhi i letrës baritore të Konferencës Ipeshkvnore Zvicerane, përgatitur për
Festën kombëtare të Konfederatës, më 1 gusht, si edhe për zgjedhjet federale të vjeshtës.
Pikërisht të hënën, kjo letër do të lexohet në të gjitha famullitë. “Kisha është
politikë”: ky, titulli provokues i dokumentit, i cili nënvizon rëndësinë, që i jep
Kisha politikës, kuptuar si punë për të mirën e përbashkët, me pjesëmarrjen e të gjithë
të krishterëve. “Kisha nuk ka zgjidhje për çdo problem – thuhet në letër – por me
përvojën, që rrjedh nga përmasa e saj globale, mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve
më të mira”. Objektivi i saj është të vendosë njeriun në qendër të debatit politik,
duke pasur parasysh se nuk mjafton vetëm zhvillimi ekonomik. Ipeshkvijtë zviceranë
sqarojnë se Kisha nuk është ndonjë shoqëri paralele, ajo jeton mes njerëzve, duke
shërbyer si “tharm” i shoqërisë ekzistuese njerëzore, me ndryshimin se ajo nuk duhet
t’u japë llogari kutive të votimit, por Ungjillit të Krishtit.