2011-07-29 18:10:30

Atmosferë tejet emocionuese në Norvegji, gjatë funeraleve të para të viktimave të 22 korrikut.


Flamujtë në gjysëm shtize sot, në të gjithë Norvegjinë, ku u kremtuan funeralet për disa nga 76 viktimat e para të kërdisë së 22 korrikut. Të pranishëm në funksione, kryeministri Stoltenberg dhe shumë anëtarë të qeverisë. Një nga ceremonitë e para mortore ishte ajo e së resë Bano Rashid, 18 vjeçare, me origjinë kurde, që u varros në Kishën e Nesodden, jo larg kryeqytetit, në praninë e Ministrit të Jashtëm, Jonas Gahr Store. Policia norvegjeze tashmë i ka identifikuar të gjitha kufomat e të vrarëve në kërdinë e Oslos e të Utojës. Do të varrosen, pas ceremonive zyrtare.

Sot, në Oslo, u mbajt edhe një kremtim përkujtimor, organizuar nga lëvizja rinore e partisë laburiste, në shënjestër të sulmit të Utojës. “Sulm kundër demokracisë” e quajti kryeministri Stoltenberg masakrën, që u kushtoi jetën 76 njerëzve. “Plumbat nuk goditën vetëm të rinjtë, por mbarë Kombin. Ishte sulm kundër demokracisë sonë, kundër impenjmit tonë politik” – vijoi të theksonte kryeministri Jens Stoltenberg.
Të gjithë pjesëmarrësit mbanin në duar trëndafilë të kuq, simbol i partisë laburiste.
Ndërkaq mbarë vendi është në pritje të vijimit të hetimit, gjatë të cilit atentatori Andres Braivik, do të pyetet përsëri, për të sqaruar kryesisht në se ka vepruar i vetëm apor me shokë e, sidomos, për t’u siguruar se nuk ekziston rreziku i një goditjeje të re, ndonëse deri tani është përjashtuar mundësia që autori i një krimi kaq të shëmtuar të ketë bashkëpunuar me kriminelë të tjerë. Prokuroria norvegjeze ka ngarkuar dy psikiatër për të vlerësuar gjendjen mendore të Braivikut.
Ndërkaq, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, zjen debati për ngjarjen tronditëse në Norvegji, për mundësinë e bashkëjetesës paqësore të njerëzve me raca, kultura e fe të ndryshme, për prirjet ksenofobe e për frikën e rilindjes së racizmit.
Të dëgjojmë dëshminë e Helga Koinegg, anëtare e Lëvizjes së Fokolarëve në Oslo:

Përgjigje: - Dëgjohen zëra nga më të ndryshmet, kjo është e qartë. Por unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është se Norvegjia, para 22 korrikut, ishte gjë tjetër, nuk mund të krahasohet me këtë, që është sot.

Pyetje: - Ç’gjë ka ndryshuar?

Përgjigje: - Edhe këtu, në Oslo, ka mjedise myslimane, me të cilat, mbase, dialogu është i vështirë. Ka edhe politikanë, që nuk janë në favor të të huajve. Ndërsa tani pohojnë se duhet të flasin me një gjuhë të re, se duhet të dialogojnë. Kjo është një gjë krejt e re. Norvegjia njihet si vend demokratik, tejet i qetë, me bashkëjetesë paqësore, por që nuk impenjohej gjithaq për ta njohur tjetrin, të afërmin. Ndërsa pas 22 korrikut ndjehet një atmosferë e re vëllazërimi: të duket sikur nuk ekzistojnë më myslimanë e të krishterë, të huaj e norvegjezë. U desh të bëhej kjo kërdi, për ta ndjerë të gjithë veten një popull i vetëm.

Pyetje: - Kryeministri Stoltenberg pohoi se kjo ngjarje po ndikon për ta forcuar edhe më shumë demokracinë në vend...

Përgjigje: - Po, tani të gjithë mendojnë kështu. Dje princi Harald vizitoi xhaminë, gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë. Shkoi atje për të folur me besimtarët myslimanë, sepse ndërmjet të rinjve, që humbën jetën, kishte edhe myslimanë. Prej këndej, besoj se të gjithë kanë vullnetin e mirë ta shndërrojnë dhimbjen në forcë, shëmtimin në bukuri e, sidomos, t’i ngulisin mirë në kujtesë fjalët, që po fliten këto ditë, fjalë solidariteti e vëllazërimi, sepse duhen edhe për më vonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.