2011-07-28 14:38:20

Qetësi relative në veri të Kosovës, KFOR-i mbyll kufirin në Jarinë


Pas dhunës së djeshme në kufirin me Serbinë, shkaktuar nga ekstremistët serbë që i vunë zjarrin pikave kufitare të Jarinës e Bërnjakut, tani situata duket më e qetë.
Komandanti i Kforit, gjenerali Erhard Bubler, bëri të ditur se pika kufitare 1 në Jarinë për momentin është mbyllur pasi dëmtimit të djeshem. KFOR-i kontrollon pikat kufitare të Jarinës (Pika 1) e Bërnjakut (Pika 3) e, shpjegon në një komunikatë, “vazhdon dislokimi i trupave të Kforit në tërë zonën e veriut të Kosovës, më qëllim që të garantohet liria, siguria dhe lëvizja”.
Automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin po në rrezik të tyre. Megjithatë, do të kontrollohen nga KFOR i dhe bastisen për armë dhe gjëra të tjera të ndaluara. Kamionët nuk lejohen të kalojnë. Në pikëkalimin në Bërnjak kontrollet gjithashtu janë shumë të rrepta për shkak të sigurisë, thotë KF0R-i. Por posaçërisht, duhet të respektohet rreptësishtë liria e lëvizjes nga ana e të gjithë civilëve në Kosovë, veçanërisht në veri.

Do të hetohen krimet, dhuna, djegiet dhe të shtënat që ndodhën ditën e djeshme. Komandanti i KFOR it, Erhad Byhler me mbështetje të plotë të autoriteteve të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare do të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar që të mbajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, posaçërisht në veri.

Gjenerali Byhler ka shpreh vlerësimin e tij personal për të gjithë ushtarët e KFOR-it të cilët e kanë kryer mirë detyrën. Ai nënvizoi se KFOR-i është përherë i gatshëm e do të reagojë në mënyrë të shpejtë ndaj çdo kërcënimi. Ushtarët e KFOR it janë shumë të motivuar dhe të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre, theksohet mes tjerash në këtë komunikatë.

Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës së Mitrovicës ka vlerësuar se me gjithë tensionet e shtuara, dezinformatave që kanë qarkulluar brenda 24 orëve të fundit, por edhe lëvizjeve të pazakonshme të disa grupeve të qytetarëve serbë - situata e sigurisë në komunë ka qenë relativisht e qetë dhe pa incidente. Kjo falë masave të shtuara që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës dhe angazhimit të njësive të KFOR it, si dhe sjelljes dinjitoze të qytetarëve, të cilët nuk janë bërë pre e dezinformatave të shumta.

Ndërkaq, në lagjet veriore të qytetit të banuara me shqiptarë, ka pasur një rritje të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, me qëllim që atje të ketë siguri e rend për të gjithë si dhe të shmangen incidentet eventuale. Sipas përfaqësuesit të Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, edhe në fshatrat shqiptare të komunave të administruara nga serbët, policia ka qenë e pranishme 24 orë, ndërkohë që herë pas herë kanë patrulluar edhe pjesëtarët e KFOR it.

Ndërsa rrugët magjistrale që çojnë për në dy pikat kufitare në veri të vendit janë ende të bllokuara nga barrikadat e vendosura në Rudare të Zveçanit dhe Zupçe të Zubin Potokut. Po ashtu edhe ura kryesore mbi lumin Ibër është bllokuar për automjete nga KFOR i për shkaqe sigurie, ndërsa lëvizja e qytetarëve është e lirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.