2011-07-28 12:40:27

Ndërroi jetë imzot Pietro Sambi, Nunc Apostolik në SHBA-së


Zi në Kishën Katolike. Ndërroi jetë mbrëmë në Baltimora të SHBA-ve, kryeipeshkvi Pietro Sambi, Nunc Apostolik në Uashington. Shëndeti i tij u keqësua ditët e fundit, pas një operacioni në mushkëri. Funerali do të mbajet në Bazilikën e Zojës së Papërlyer në Uashington, më 6 gusht, Festa e Shndërrimit të Zotit.
Imzot Sambi u lind 73 vjet më parë në Sogliano al Rubicone, dioqeza italiane e Riminit dhe u shugurua meshtar në vitin 1964. Hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në vitin 1969 e, që atëherë, ka qenë në Kamerun, në Jeruzalem, në Kubë, në Algjeri, në Nikaragua, në Belgjikë e në Indi. Më 10 tetor 1985 emërohet kryeipeshkëv i Belkastros e pro-nunc apostolik në Burundi. Kardinali Jozef Tomko e shuguron ipeshkëv më 9 nëntor të atij viti.
Më 1991 emërohet nunc apostolik në Indonezi e më 1998, merr detyrën e përfaqësuesit papnor në Qipro e në Izrael, si edhe atë të legatit apostolik për Jeruzalemin e Palestinën, duke kontribuar në zgjidhjen e problemit të rrethimit të atëhershëm të Bazilikës së Lindjes së Krishtit.
Që nga 17 dhjetori 2005 shërben si nunc apostolik në SHBA-të dhe si vëzhgues i përhershëm në Organizatën e Shteteve Amerikane. Mbahet mend si një person, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme në favor të të krishterëve të Tokës Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.