Liderët fetarë, në Jeruzalem, bisedojnë për ndryshimet klimaterike dhe zhvillimin
e qëndrueshëm.
“Si mund të bashkëpunojnë fetë, përballë krizës klimaterike?”. Për t’iu përgjigjur
kësaj pyetjeje, dje, në Jeruzalem, në Tokën e Shenjtë, u takuan prijës të feve të
ndryshme. I organizuar nga Qendra ndërfetare për zhvillimin e qëndrueshëm, forumi
shqyrtoi mundësitë e bashkëpunimit, përballë sfidave të ndryshimeve klimaterike. Posaçërisht
domethënës, diskutimi i imzot Uilljam Shomalit, ipeshkëv ndihmës i patriarkatit latin
të Jeruzalemit, që përfaqësonte në takim patrikun Fuad Tual; i rabinit David Rozen,
drejtor ndërkombëtar i Komitetit hebraiko-amerikan për Çështjet ndërfetare, bashkëkryetar
i Konferencës botërore të feve për paqen si dhe i Haj Salah Zuhejkës, zëvendës-ministër
i çështjeve fetare për Autoritetin palestinez, anëtar i Këshillit të institucioneve
fetare të Tokës së Shenjtë. Të respektosh krijimin, do të thotë të respektosh Krijuesin
– nënvizoi imzot Shomali, fjalimi i të cilit përkoi plotësisht me atë të rabinit Rozen
e të zëvendës-ministrit Zuhejka. Të tre diskutuesit theksuan se toka është pasuri,
që nuk u përket vetëm pak njerëzve, por mbarë njerëzimit. Vërtet këtu jemi në kalim,
por gjithsesi duhet ta dashurojmë këtë krijesë – theksoi prelati katolik – sepse është
dhuratë e çmuar, që duhet ruajtur. E, duke folur për tokën – lexohet në kanalin e
internetit të Patriarkatit latin të Jeruzalemit , imzot Shomali kujtoi “Këngën e Krijesave”
të Shën Françeskut të Asizit, e jo më pak, edhe mesazhin e Benediktit XVI për Ditën
Botërore të Paqes, të vitit të kaluar, duke theksuar fort citimin: “Të sigurosh paqen,
do të thotë të mbrosh gjithësinë e krijuar nga Zoti”. Prelati kërkoi të rishikohen
modelet e zhvillimit, sepse ritmi i sotëm i shfrytëzimit të tokës, rrezikon burimet
natyrore, ndërsa mungesa e projekteve politike dhe ekonomike afatgjata, e ka dëmtuar
tashmë shumë rëndë ambientin. Imzot Shomali foli edhe për realitetin ekologjik të
Gazës, ku mungesa e sistemit të grumbullimit të mbeturinave, po shkakton ndotjen e
ujërave. Problem, ky, tejet i rëndësishëm për jetën e njerëzve, e jo vetëm në këto
zona.