Atë Pjetër Meshkalla S.J. gjigant i fesë e i kulturës shqiptare në përvjetorin e vdekjes
Më 28 korrik përkujtojmë 23 vjetorin e vdekjes së Jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës
S.J. gjigantit fesë e të kulturës shqiptare Atë Pjetër Meshkalla është një nga
figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës
katolike shqiptare të periudhës së regjimit komunist, dëshmitar e mbrojtës i paepur
i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore. 26 shtator 1901 - 28 korrik 1988:
ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë
Pjetër Meshkallës, të cilit sot i përkujtojmë 21 vjetorin e kalimit në banesën e amshuar
të Atit Qiellor, nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi
një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin
Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë
të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës
në Shkodër më 1931. Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi
i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën
Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore
e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në
rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar
duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit. Pastaj duhet
përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme
të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh
rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt,
kampet e skëterrshme, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave”
deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit
komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit, ballë për ballë persekutuesve të tij,
në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari
të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju mund të
më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin.
Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat
e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”. I burgosur dy herë nga
regjimi komunist i Shqipërisë, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës së persekutuar
katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri
katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare
të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944,
janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë
aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".
Në një moment tjetër,
Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha
e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh
e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen
të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të
bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët
zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u
zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej
nesh nji Shqipni të lumtun!” Sot jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të
kësaj profecie e ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë që kanë për themel
gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla. Edhe sot Atë Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në
rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si e Lumja Nënë Terezë, atë Meshalla qe shembull
i dashurisë në veprim.