2011-07-27 18:27:20

Në Spanjë, atmosferë festive, në pritje të takimit të të rinjve të botës me Papën.


Në faqet e gazetës vatikanase L’Osservatore Romano”, duken gjithnjë më shpesh shkrime kushtuar Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Madrid të Spanjës nga 16 deri më 21 gusht. Pikërisht ndërmjet këtyre dy datave, më 18 gusht, në Takimin e madh rinor do të arrijë Papa Benedikti XVI. Gjithçka është gati në aerodromin e Cuatro Vientos (Katër Erërave), ku Papa do të kryesojë mbrëmësoren e lutjes, të shtunën, më 20 gusht si dhe Meshën përfundimtare të së dielës, 21 gusht - shkruhet në të përditshmen e Selisë së Shenjtë. Gati është edhe Sheshi Cibeles, ku do të kremtohet Mesha e hapjes së veprimtarisë së madhe botërore të rinisë, më 16 gusht, e ku do të organizohet edhe pritja e Papës, më 18. Benedikti XVI do të pritet nga mbreti Huan Karlos e mbretëresha Sofia. Në mbrëmje, Ati i Shenjtë do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës së Zotit përballë një gjysëm milioni të rinjsh, në Sheshin e Cibeles. Do të marrë pjesë edhe në një nga veprimtaritë më emocionuese, në Udhën e Kryqit, më 19 gusht.
E, përsa i përket këtij kremtimi – vijon gazeta vatikanase – është një nga më të priturit në të gjitha Ditët Botërore të Rinisë. Don Erik Zhakinet, drejtor i seksionit të të rinjve pranë Këshillit Papnor për Laikët, shpjegon: “Mesazhi është që të rinjtë ta shikojnë me sytë e tyre e ta ndjejnë me zemrën e tyre se Krishti është pranë të gjithë njerëzve. Posaçërisht pranë atyre që vuajnë, të cilëve u tregon udhën për të ecur përpara.
Udha e Kryqit, me pjesëmarrjen e Papës e të 700 të rinjve, do të përshkojë Paseo de Rekoletos. Stacionet e ndryshme të saj do t’i çojnë simbolikisht pjesëmarrësit në atë kohë e në atë vend, ku më se 2000 vjet më parë Zoti u kryqëzua për t’i dhuruar botës rininë pa mort! Do të marrin pjesë në këtë kremtim edhe karrocat, që përdoren në Spanjë gjatë proçesioneve të Pashkëve nga Bashkëvëllazëritë më të famshme të Madridit. Është pjesëmarrje në Udhën e Kalvarit, mbi gjurmët e të Kryqëzuarit, kjo rrugë, që përsëritet në kohë e vende të ndryshme….
Prandaj për këtë Udhë simbolike u zgjodhën të rinj, që vijnë nga zonat e konfliktit, si Toka e Shenjtë e Iraku – kujtojmë se në Madrid priten më se dymijë shtegtarë nga vendet arabe – pastaj, nga vende, në të cilat të krishterët janë të përndjekur për shkak të fesë, si India e Egjipti; nga vende të dëmtuara rëndë prej fatkeqësive natyrore, si Japonia e Haiti. Por do të ketë edhe shumë emigrantë, ardhur nga Amerika Latine, që sot jetojnë e punojnë në të katër anët e Spanjës. Të rinj të gjymtuar në rrethana e për shkaqe të ndryshme, pastaj; të sëmurë nga Sida, së bashku me vullnetarët, që do t’i shoqërojnë e do të kujdesen për ta. L’Osservatore Romano kujton, në vijim se, si zakonisht, do të ketë edhe shumë ngjarje kulturore e festive, që përbëjnë gjithnjë kornizën mahnitëse të Ditëve Botërore, përplot me aromë rinie, arti, bukurie, nga të katër anët e botës, pa harruar se në qendër të vëmendjes janë veprimtaritë liturgjike. Në ditët para ardhjes së Papës, qindra ipeshkvij do të drejtojnë një cikël katekizmi me temën e DBR-së: 250, vendet e caktuara për katekizëm e 75, vetëm grupet e gjuhës spanjolle, grupet më të mëdha të Ditës së Madridit. Por, me sa duket, do t’ua kalojnë grupet e të rinjve italianë. Grupi i parë i tyre përbëhet nga 77 mijë vetë. Ndërsa Madridi pret rreth një milion vetë për Meshën përfundimtare, që do të kryesohet nga Benedikti XVI, më 21 gusht.
Ndërmjet 30 gjuhëve, që do të dëgjohen në këtë ngjarje botërore – shpjegohet – do të jenë edhe disa gjuhë visesh të largëta: gjuha arabe, kamboxhiane, vietnameze, kineze – kjo e fundit në variantin mandarin e kantonez. Por nuk do të mungojë edhe një gjuhë tjetër, ajo e shenjave, për shurdhmemecët. Sepse edhe ata duan “të dëgjojnë e të flasin” në këtë ditë, kur do të bëhet i prekshëm premtimi i Krishtit për t’i bërë shurdhët të dëgjojnë, të pagojët të flasin e të gjymtët të vrapojnë!Kujtojmë se gjatë gjithë kremtimit të DBR-së, në Parkun Retiro, në zemër të Madridit, do të organizohet Festa e pendesës dhe e faljes: 800 meshtarë, njohës të të gjitha gjuhëve të botës, do t’i rrëfejnë të rinjtë gjatë të pesë ditëve të manifestimit të madh. Edhe Benedikti XVI do të jetë ndërmjet rrëfyesve në Festën e faljes së madhe rinore!







All the contents on this site are copyrighted ©.