2011-07-27 18:28:52

Norvegji: Kisha katolike pa më të keqen e së keqes, por tani ndjehet fort fryma e së mirës.


“Pamë më të keqen, që mund t’i bëjë e keqja njeriut, por njëkohësisht po vërejmë edhe shumë mirësi në reagimin e njerëzve”. Kështu e komenton atë Pal Bratbak, zëdhënës i Kishës katolike norvegjeze, qëndrimin e norvegjezëve pas kërdisë, që i ra mbi kokë këtij vendi tejet të zhvilluar, në të gjitha pikëpamjet, ku një hata e tillë nuk pritej.
Në të gjithë vendin – shpjegon meshtari katolik – ndjehet një heshtje irreale. Njerëzit e kanë vështirë ta kuptojnë atë që ndodhi, nuk janë ende në gjendje t’i përfshijnë përmasat e tragjedisë, e as të dhimbjes, e cila bëhet çdo ditë më e thellë e më e prekshme, pas çudisë e paaftësisë për ta shpjeguar këtë masakër fare pa kuptim. Mbi gjithë vendin ndehet atmosfera e morteve të mëdha! Përpara katedrales luterane të Oslos, lartohet një mal me lule e vijojnë të ndizen çdo çast qirinj. Të gjithë përpiqen të bëjnë diçka konkrete, t’i ndihmojnë njerëzit, që humbën të dashurit, në këtë tragjedi pa fund. Askush nuk mund ta parashikonte një tmerr të tillë në vendin tonë paqtor.
Tmerri bëhet edhe më i pranishëm përmes rrëfimeve të të rinjve laburistë, që shpëtuan gjallë në ishullin Utoja. Po, të rinjtë, që shpëtuan nga masakra – shpjegon rregulltari katolik – tregojnë tmerre të vërteta. Në çastin e parë menduan për një shaka të pakëndshme, por shumë shpejt e kuptuan se shakaja ishte tepër makabre, madje ishte realitet i tmerrshëm, krim i kryer me gjakftohtësinë e katilit, që nuk ngopet me gjak. Ai vërtitej në të katër anët e shtinte pa pushim, pa pyetur ku shkonin plumbat. Shtinte e kënaqej! Të rinjtë – vijon atë Bratbak - shikonin si rrëzoheshin përqark miqtë e tyre, me një plumb në lule të ballit. Jetuan një atmosferë, e cila vonë e herë do të shlyhet nga kujtesa e tyre: atmosferën e frikës nga vdekja, të pamundësisë për ta ndaluar atë që po ndodhte, të vetëdijes se nuk ishin në gjendje të shpëtonin as veten e as të tjerët, të dhimbjes për miqtë, që nuk do të ktheheshin kurrë më në jetë. Këtu, në Norvegji, mjetet e komunikimit, duke treguar faktet e hidhura, kujdesen që rrëfimi të jetë sa më delikat, për të mos i lënduar të rinjtë edhe më shumë se ç’janë, nga një ngjarje kaq e pazakontë në moshën e tyre plot ëndrra të bukura për jetën, që të mos rigjallen makthe të reja.
Zëdhënësi i Kishës katolike jep edhe disa mendime për autorin e masakrës, Anders Breivik. As prindërit – shpjegon – nuk e dinin ç’po kurdiste i biri. Në manifestin e tij, ai vetëpërshkruhet si luftëtar i përbetuar kundër së keqes e si kalorës i pamposhtur. Përdor metafora të frymëzuara nga historia e Kryqëzatave. Në jetëshkrimin e vet, në Facebook, e quan veten të krishterë. Ndërsa Norvegjia nuk e konsideron as të krishterë fanatik, por thjesht, të sëmurë mendor. Sigurisht – vijon atë Bratbak - me mendime të së djathtës ekstreme, anti-marksist e armik i emigracionit mysliman, por gjithnjë njeri me gjysëm mendjeje, me turbullira serioze në kokë. Nuk mund ta quash veten të krishterë e të bësh atë, që bëri ai; e aq më pak, ta ngatërrosh në ngjarje të tilla emrin e Kishës katolike: nga kjo kuptohet qartë se ky njeri jetonte jashtë realitetit, në një botë të trilluar nga mendja e tij e sëmurë. Kisha katolike, për vetë natyrën e saj, përfshin në gjirin e vet shumë kultura, shumë raca. Është universale. Nuk mund të përkojë kurrë, prandaj, racizmi, me fenë katolike.Vetëm në famullinë e Katedrales së Oslos, bashkëjetojnë vëllazërisht besimtarë me 160 kombësi të ndryshme. Të kesh simpati katolike, e njëkohësisht raciste, është krejtësisht jashtë realitetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.